Revizioni publikoi disa parregullsi pas kontrolleve të kryera në Komunën e Haraçinës
Në Komunën e Haraçinës janë konstatuar disa parregullsi nga Enti Shtetëror për Revizion duke theksuar edhe mendimin e pavolitshëm për realitetin e raporteve financiare, transmeton Portalb.mk.
“Komuna nuk mbanë regjistër të pronës së patundshme, nuk lëshon vendime për borxhin për tatimin në pronë ndaj personave fizikë dhe juridikë, ndërsa tatimi i shitjes së patundshmërive dhe tatimi i trashëgimisë dhe dhuratës nuk përcaktohet në pajtim me Metodologjinë për përcaktimin e vlerës në treg”, deklarojnë nga Revizioni.
Një nga dobësitë e sistemit llogaritet edhe mungesa e pasqyrës së plotë të arkëtimit dhe konfirmimit të të ardhurave në bazë të tatimit komunal, që paguhet gjatë regjistrimit të automjeteve dhe tatimit komunal për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik.
“Komuna nuk realizon të ardhura në bazë të: tatimit komunal të kompanisë, tatim komunal për shfrytëzimin e muzikës në lokalet publike, tatimit komunal për shfaqjen e reklamave, publikimit dhe shpalljeve në vende publike dhe të ardhura nga kompensimet për rregullimin e tokës ndërtimore”, sqarojnë nga Revizioni.
Revizioni alarmoi gjithashtu që nuk është siguruar dokumentacioni shoqëruese përkatës për një pjesë të shpenzimeve të evidentuara. Rekomandohet që kryetar i komunës të sigurojë miratimin para fillimit të aktiviteteve për ndërtime, të evidentohen toka dhe objektet e ndërtuara nga komuna dhe ndryshimet në librat afariste të jenë në bazë të dokumenteve të besueshme.
“Kryerja e punimeve ndërtimore – ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrugëve dhe rrugicave janë pa miratim për ndërtim dhe projekt bazë, dhe vënia në përdorim e ndërtimeve është kryer pa procesverbal të pranim-dorëzimit”, konstatoi Revizioni, duke theksuar që nuk është evidentuar prona e patundshmërisë në pronësi të komunës.