Ndryshime në Kodin Penal për të rritur sigurinë e gazetarëve
Autoritetet maqedonase kanë iniciuar ndryshimet në Kodin Penal, ku pritet që sulmi ndaj gazetarëve të trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar. Në gjë e tillë më pas parasheh edhe dënime me burg dhe ky ndryshim thuhet se do të rrisë sigurinë e gazetarëve dhe informimin profesional.
Kryetari i Shoqatës së gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, Mlladen Cadikovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes ndryshimeve në Kodin Penal, ku sulmi ndaj gazetarëve do të klasifikohet si sulm ndaj personit zyrtar, do të kontribuojë edhe në rritjen e lirisë së shprehjes.
Cadikovski thotë se sulmet fizike ndaj gazetarëve me shumë vështirësi kanë arritur deri në një epilog gjyqësor dhe kjo situatë, sipas tij, tregon se sa të nevojshme kanë qenë këto ndryshime të Kodit Penal.
“Vitin e kaluar, nga 16 raste të parashtruara në gjykata, vetëm një rast ishte zgjidhur, përkatësisht ka marrë epilog gjyqësor. Kjo i inkurajon personat e tjerë që të kërcënojnë gazetarët sepse e dinë se nuk ndëshkohen”, thotë Cadikovski.
Ndërkaq, gazetari Nazim Rashidi thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet ligjore janë të mirëseardhura, por ai thotë se më e rëndësishme është çështja se si shoqëria trajton gazetarët.
“Gazetarët janë ata të cilët i informojnë qytetarët dhe janë në mbrojtje të qytetarëve dhe për më tepër, sulmet ndaj gazetarëve duhet të shihen si sulme që u bëhen qytetarëve ose lirisë së shprehjes. Mendoj se në të ardhmen, më tepër kujdes duhet t’i jepet edukimit të shoqërisë se çka paraqet gazetaria profesionale dhe pse duhet që të mbrohen gazetarët. Gazetarët kur informojnë duhet të kuptohet se nuk kanë faj për zhvillimet e këqija që ndodhin në shoqëri, nuk kanë faj kur denoncojnë zyrtarët e lartë që kanë bërë shkelje ligjore, por ata mbrojnë qytetarët dhe interesin publik. Në qoftë se ligji e mbron këtë parim, sigurisht se ky ligj do të jetë i rëndësishëm, por për mua më e rëndësishme është që qytetarët ta kuptojnë vlerën e informimit profesional”, thotë Rashidi.
Nga dikasteri i drejtësisë bëjnë të ditur se këto ndryshime në Kodin Penal, pritet të dërgohen për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në gjysmë e dytë të muajit maj.
Punonjësit e mediave po ashtu theksojnë se është shumë e nevojshme të investohet në edukimin e gjykatësve dhe prokurorëve sa i përket rëndësisë së punës së gazetarëve.