Zhdukja e gostivarasit Astrit Ismaili në Shkup, MPB: Po merren masa për gjetje
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se rasti për zhdukjen e 26-vjeçarit Astrit Ismailit është raportuar në polici dhe se po merren masa për gjetjen e të njëjtit, përcjell TV21. Rasti në polici është raportuar në orët e para të ditës së djeshme nga nëna e Astritit.
“Më datë 11.04.2023 në ora 00:30 në Stacionin Policor të Karposhit, XH.I.(57) nga Gostivari ka raportuar se djali i saj A.I.(26) nga Gostivari është larguar nga shtëpia në Shkup, ku ka qenë duke qëndruar. Po merren masa për gjetjen e personit”, thonë nga MPB për TV21.
Sipas familjarëve, Astrit Ismaili, 26-vjeçar nga Gostivari, por që banonte në Shkup, ka humbur gjurmët që nga dita e hënë (10.04.2023). Familjarët dhe miqtë, kërkojnë ndihmën e çdo qytetari, që të gjejnë Astritin i cili ka humbur në drejtim të panjohur.
Astriti është zhdukur nga banesa e tij në Shkup, me adresë “Varsavska” numër 17, ndërkaq të gjitha gjërat personale siç bëhet e ditur nga të afërmit e tij, janë gjetur në banesë.
Sipas familjarëve, janë kontaktuar të gjitha qendrat shëndetësore në afërsi të banesës së tij dhe në Shkup, por askund nuk figuron se Astriti ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Ndaj tij kërkon edhe policia, por familjarët kërkojnë ndihmën e çdo qytetarë që di sado pak diçka në lidhje me Astritin.
Për çdo informacion, kontaktoni në numrin e 071 433 777.