Rubin: Në Maqedoninë e Veriut përsëriten dezinformatat ruse
I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i cenueshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze, por “një pjesë e madhe” e tyre vjen nga Serbia dhe ky është një “problem i madh që duhet të adresohet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit. Qendra është një organ i Departamentit amerikan të Shtetit, e krijuar për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit. Ai madje tha se në Maqedoni ka media që përsërisin dezinformatat ruse
“Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më ka kërkuar të marr përsipër një sfidë të re, me të cilën përballet bota. Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë një disiplinë e re, një kërcënim i ri për botën. Unë jam përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit dhe quhem ‘I dërguar special’. Ajo që përpiqemi të bëjmë këtu, është t’i ndjekim vetë ofruesit e dezinformatave, ta trajtojmë këtë problem rrënjësisht dhe ta zgjidhim, e jo të presim që të thuhen gënjeshtra për Shtetet e Bashkuara, për Perëndimin, të cilat janë përhapur nga portalet në këtë pjesë të botës. Mendoj se nuk është sekret që në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi, ka media që përsërisin gënjeshtrat ruse, dezinformatat ruse, duke thënë gjëra të tilla si ‘në Ukrainë ka armë biologjike’ – kur kjo nuk është e vërtetë dhe është hedhur poshtë si ide edhe nga Konventa e Armëve Biologjike në Gjenevë – apo duke thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë dashur këtë luftë [në Ukrainë] ose e shohin këtë luftë si operacion për të fituar para. Të gjitha këto gënjeshtra dezinformuese, për fat të keq, janë shumë të spikatura dhe shumë të përhapura në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Xhejms Rubin, Koordinator për Qendrën e Angazhimit Global. /Alsat.mk