Maqedoni

Ish-ministri Nikolla Dimitrov pritet të formojë parti politike

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov po bëhet gati për formimin e një lëvizje, apo subjekti të ri politik në Maqedoninë e Veriut, mëson TV21. Jozyrtarisht mësohet se partia do të promovohet në fund të këtij muaji, respektivisht në fund të muajit prill. Siç bëjnë të ditur burime të TV21, ish kryediplomati po përpiqet që përmes kësaj iniciative të bashkojë njerëz të shumë lëvizjeve qytetare që u paraqitën në skenën politike në zgjedhjet e fundit lokale, por pritet edhe aktivizimi i personave të rinj në skenën politike.

Nikolla Dimitrov ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2020. Ai është një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Më herët ka qenë i angazhuar në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe të presidentit Branko Cërvenkovski. Dimitrov gjithashtu ka qenë pjesë e kabinetit të kryeministrit Vllado Buçkovski.