Rreth 400 mësues dhe profesorë me probleme shëndetësore
Vitin e kaluar Ministria e Arsimit pati ndarë një grant prej 1 milion e 700 mijë euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, nga i cili përfituan rreth 300 mësimdhënës.
Mirëpo këtë vit nuk dihet nëse ka vazhduar mbështetja për ta.
“Nga ky vit kalendarik nuk kemi informacione të plota që flasin se ky angazhim ka vazhduar. Madje disa DKA janë ankuar se për këtë vit janë në hall, nuk dinë çfarë të bëjnë me kolegët tanë të sëmurë me sëmundje të rënda të cilët u ndihmojnë për të shkuar në shkollë por më shumë për të ruajtur vendin e punës”, thotë Rrahman Jashari nga SBASHK.
Ndërsa numri i mësimdhënësve të sëmurë është në rrezik rritjeje.
“Ky numër mund të jetë rreth 400, i cili numër mund të rritet në të ardhmen. Këta njerëz duhet të lirohen nga procesi mësimor, të marrin paga të plota deri në pensionim dhe të merren me sëmundjen e tyre”, shprehet Jashari.
Sipas Institutit EdGuard, MASHT-i duhet të merr veprime të shpejta për këtë kategori.
“Institucioni i MASHT-it duhet të ndërtojë mekanizma të qëndrueshëm, të shpejtë të cilët pikë së pari i identifikojnë mësimdhënës me sëmundje të tillë brenda sistemit dhe u ofrojnë përkrahjen e duhur, qoftë me asistent-mësimdhënës, po qoftë edhe me pensionim të parakohshëm apo çfarëdo modaliteti tjetër, por në asnjë moment duke mos ua ndaluar kontratën”, thotw Rinor Qehaja.
Deri më tash, ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga Sindikata e Arsimit për mbështetjen e mësimdhënësve me probleme shëndetësore, herë pas here edhe me lirim nga detyra.