Pushteti caktoi emrat për grupin e punës për ndryshimet kushtetuese, nga opozita vetëm BESA
Ministria e Drejtësisë do të presë deri në mesnatë kandidatët për anëtarë të grupit të punës, që do të hartojë ndryshimet kushtetuese. Partitë në pushtet kanë bërë të ditur tashmë emrat e përfaqësuesve të tyre. LSDM propozon ish-deputeten dhe sekretaren aktuale të përgjithshme të Kuvendit, Cvetanka Ivanova. BDI ka emëruar deputetin dhe kryetar të Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, ndërsa Aleanca për Shqiptarët, deputetin Remzi Mehmedi. Jozyrtarisht përfaqësuesit e tyre i kanë propozuar edhe partitë më të vogla nga koalicioni qeverisës, ndërsa nga opozita përfaqësuesin e saj sipas të gjitha gjasave do ta ketë vetëm BESA. Pjesëmarrja në grupin punues është refuzuar nga VMRO-ja, e Majta, Alternativa dhe Lidhja Demokratike.
Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, një lëvizje e tillë e partive opozitare është e pritshme, por ai shtoi se integrimi evropian nuk duhet të jetë peng i karrierës së një personi. Pavarësisht mospjesëmarrjes së opozitës, procesi për ndryshime kushtetuese do të vazhdojë.
“Pasi të bëhen ndryshimet do të kalojnë në një diskutim publik para komunitetit akademik, para organizatave joqeveritare, komunitetit të biznesit, mediave për t’u njohur me qytetarët dhe më pas do të fillojë procedura parlamentare në Kuvend ku ka komision kushtetues”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Ndërkohë ndryshimet kushtetuese do t’i mbështesë edhe grupi i zjarrit i cili funksionon si fraksion në kuadër të BDI-së. “Qëndrojmë të palëkundur në nismën për ndryshimet kushtetuese që vendit do ti japë perspektivë të tre në rrugën drejt integrimit në BE duke respektuar edhe vullnetin absolut të popullit shqiptar për heqjen e përkufizimit 20% nga kushtetuta sa i përket gjuhës shqipe”.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Loga, gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadoren amerikane Ageler. Ai i ka thënë ambasadores se është e rëndësishme që opozita të marrë pjesë në proces. Ndryshe, presidenti Stevo Pendarovski me këshilltarin Aleksandar Spasov, Dragan Tilev nga Sekretariati për Çështje Evropiane do të kenë përfaqësues të tyre në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa do të ketë edhe njohës të së drejtës kushtetuese dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme. Nga Ministria njoftuan se listën zyrtare të anëtarëve do ta shpallin nesër. /Alsat.mk