Aliti: Për statusin e ushtarëve, i gatshëm të ulem edhe me VMRO-në dhe Lëvizjen BESA
BDI-ja është e gatshme të ulet me VMRO-DPMNE-në dhe Lëvizjen Besa të diskutojë për statusin e ish ushtarëve të UÇK-së dhe ish branitellave. Kështu deklaroi në emisionin “Rruga drejt…”, Rafis Aliti i njohur si mësuesi. Ai duke folur në cilësinë e Koordinatorit në BDI për statusin e ish luftëtarëve të UÇK-së, familjeve të tyre dhe invalidëve të luftës i bëri thirrje të dyja subjekteve të ulen dhe të bisedojnë nëse duan të gjejnë zgjidhje definitive.
“Unë jam i gatshëm të jap kontributin tim. Me siguri edhe BDI, por nëse me sinqeritet e kanë Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE-ja për iniciativat që i marrin e jo vetëm para zgjedhjeve t’i aktualizojnë dhe pastaj t’i harrojnë ose vetëm kur janë në opozitë. Ja unë jam në pozitë dhe ju bëj thirrje nëse janë të interesuar, numrin tim e kanë le të më thërrasin sepse jam i gatshëm në çdo moment të ulem në interes të zgjidhjes së këtyre çështjeve”, deklaroi Rafis Aliti, Koordinator i degës së BDI-së në Saraj.
Mes tjerash, Aliti tha se duhet zgjidhur edhe statusi i civilëve, respektivisht personave që kanë pasoja nga lufta por që nuk kanë pasur familjar të armatosur.
“Kemi pjesën civile tek shqiptarët dhe maqedonasit që kanë shpëtuar. Kemi pjesën e të zhdukurve. Edhe ata kanë familje që nuk kanë qenë as “branitella” dhe as UÇK. A është marrë dikush deri tani me këtë problematikë?”, tha Rafis Aliti, Koordinator i degës së BDI-së në Saraj.
Statusi i ish luftëtarëve të UÇK-së dhe invalidëve të luftës është vendosur si pikë programore edhe në fraksionin brenda BDI-së apo ndryshe i njohur si grupi i zjarrit. Ndërkohë Lëvizja Besa ka paralajmëruar një ligj të ri, por deri tani nuk ka ndërmarrë diçka konkrete. Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja pretendon të nisë në Kuvend ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për branitellat me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre dhe rritjen e vlerës së dëmshpërblimit në bazë të shkallës së invaliditetit. Rritje të beneficioneve parashikohen edhe për familjet e të rënëve. Hera e parë dhe e fundit kur BDI-ja kishte hapur çështjen e statusit të luftëtarëve të UÇK-së dhe invalidëve të luftës ishte në vitin 2009/10 kur pretendohej miratimi i një ligji të ri përmes harmonizimit të dhjetëra ligjeve të tjera sociale. /Alsat.mk