Romët në Maqedoni kanë probleme të ngjashme si shqiptarët: Uji, papunësia, infrastruktura…
Sot, në një sallë për të dëgjuar hallet e romëve, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, për disa orë u grumbulluan në një vend presidenti, ministra e ambasadorë të Bashkimit Evropian.
Presidenti Pendarovski ka numëruar problemet me të cilat përballet ky komunitet, e që janë plotësisht të ngjashme me problemet që preokupojnë shqiptarët në shumicën e komunave ku përbëjnë shumicën.
“Për fat të keq kur flasim për romët në 3 dekadat e fundit, ne diskutojmë për probleme bazike, edhe atë problemi me qasje në ujë, energji elektrike, infrastrukturë të duhur, arsim cilësor dhe shërbime shëndetësore, flasim për papunësi të lartë dhe me qasje të kufizuar në drejtësi”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.
Ndër pjesëmarrësit dhe më të zëshmit në këtë ngjarje ishte edhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri si dhe ministrja e Punës, Jovana Trençevska.
Sipas raporteve ndërkombëtare, numri i romëve të papunë është mbi 10,000 dhe përmirësimi në këtë drejtim thuajse është i padukshëm. Pjesa më e madhe e romëve nuk përfitojnë nga shërbimet sociale. Grave rome vazhdojnë të ju mungojnë kushtet themelore për jetesë ndërsa fëmijëve rom, ju shkelet çdo e drejtë – ata detyrohen të përfshihen në lypësi dhe aktivitete tjera të kundërligjshme.
Sipas romëve të anketuar nga ALSAT, ata përballen me diskriminim çdo ditë dhe kudo.
“Diskriminimin e ndjejmë çdo ditë, për shembull ka raste që në autobusë romët nuk i lejojnë të hyjnë, kur aplikojnë për punë dhe punëdhënësi e sheh se ka emër dhe mbiemër musliman dhe e kupton që është rom, nuk e punëson”.
“E ndjejmë diskriminimin edhe fizikisht edhe psiqikisht, jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë botën. “Edhe në arsim jemi të diskriminuar, edhe gjatë kërkimit për punë, kur shkojmë në mjek, gjithashtu e ndjejmë atë diskriminim”.
Romët kanë vetëm 1 përfaqësues në shtëpinë ligjvënëse ndërsa Komisioni Antidiskriminim gjatë vitit është marrë me disa raste të diskriminimit ndaj romëve, përfshirë edhe raste ku atyre u është mohuar uji i pijshëm.
Përkundër këtyre problemeve, institucionet vendase vazhdojnë të përpilojnë “strategji” për përfshirje të romëve në politikat publike dhe përmirësimit të kushteve të tyre, e para u përpilua në vitin 2016 ndërsa e fundit vitin e kaluar.