Maqedoni

Vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Në Gjykatën Themelore në Tetovë sot prej orës 11 vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në spitalin modular të Tetovës në vitin 2021 kur jetët i humbën 14 persona. Në sallën gjyqësore duhet të vazhdojë marrja në pyetje e dëshmitarëve të rinj të cilët janë thirr me kërkesë të avokatëve të të akuzuarve.

Në seancën e kaluar gjyqësore më 21 mars ishin marrë në pyetje profesorët universitarë të cilët në procedurën parahetimore kishin përgatitur të dhëna të ekspertëve dhe mendim në formë të shkruar, si dhe dy motra medicinale, të angazhuara në spitalin modular.

Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit Klinik në Tetovë si person juridik në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranojnë fajin dhe se nuk i kishin kryer veprat për të cilat akuzohen.

Gjykimi për zjarrin që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, kur jetët i humbën 14 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin lënduar filloi më 7 dhjetor 2022 pasi nga shtatori i vitit 2022 deri atëherë procesi gjyqësor ishte shtyrë disa herë.