Alternativa i thotë “jo” VMRO-së dhe jep propozimet e veta: Maqedonia e Veriut “shtet i kombit maqedonas, kombit shqiptar dhe bashkësive etnike”
Partia Alternativa ka reaguar ndaj propozimit të VMRO-DPMNE-së, që me ndryshimin e kushtetutës të ndryshoj edhe preambula, ku do të qëndronte se shteti i Maqedonisë është shtet i maqedonasve dhe pakicave tjera kombëtare. Sipas Alternativës, ky propozim është i papranueshëm, ndërsa kanë shtuar se ata si parti, që moti kanë propozuar që t’i bëhet ridefinim i preambulës së kushtetutës.
“Duke parë se Maqedonia e Veriut ka një shumicë më të madhe (maqedonasit etnikë – 54%), një shumicë të dytë (shqiptarët – 30%) dhe një grup të minoriteteve (6-7%), propozimi ynë ka qenë që Maqedonia e Veriut të definohet si “shtet i kombit maqedonas, kombit shqiptar dhe bashkësive etnike”. Për të qenë kreativë në këtë temë, AlternAtivA e ka edhe propozimin tjetër, që Maqedonia e Veriut të definohet në preambulë si “shtet i qytetarëve të saj”, duke i hequr të gjitha atributet etnike nga ndërtimi i shtetit. Se cilin model mund ta pranojmë si shtet, kjo duhet të jetë pjesë e debatit dhe konsensusit politik”, thuhet në reagimin e Alternativës.
Për Alternativën kjo është temë që nuk duhet të përdoret për qëllime elektorale, ndërsa kanë shtuar se mbeten të gatshëm dhe të hapur të diskutojnë me argumente dhe pa paragjykime.