U anulua seanca për “Besa Trans”
U anulua seanca e sotme gjyqësore për rastin “Besa Trans”, pasi që përfaqësuesi i personit juridik të kësaj kompanie, Shaban Hoxha ende nuk është kthyer prej jashtë shtetit, ku prej para një muaji ka shkuar për shkak të rastit të vdekjes së familjarit të afërm, njofton Portalb.mk.
Sot duhej të dëshmonin përfaqësuesit e doganës, për të cilët tre seancat paraprake janë anuluar për shkak se Dogana nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës. Megjithatë, përfaqësuesit e Doganës as sot nuk u deklaruan para Gjykatës, pasi që ashtu si[ tha avokati mbrojtës i “Besa Trans”, Asmir Alispahiq, përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Shaban Hoxha nuk ka ardhur ende prej jashtë shtetit.
“Shaban Hoxha mund të mos vijë edhe një muaj, mbrojtja s’ka asnjë qëllim që të zvarritet procesi gjyqësor, por Shaban Hoxhës i ka ndodhur ngjarje e padëshiruar. E lusim gjykatën që ne të sigurojmë person tjetër në vend të tij, që të mos jemi arsyeja e anulimit të seancave”, tha Alispahiq.
Gjykatësi i lëndës, Ivica Stefanovski, tha se Hoxhës do t’i caktojë avokat sipas detyrës zyrtare dhe “ai daç le të vijë, e daç jo”.