Krerët e komunave të Kosovës dhe Shqipërisë mirëpriten nga Kasami në Tetovë
Nxënësit e shkollave të Tetovës parashihet të kenë vizitë të rregullt të qyteteve turistike të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe anasjelltas.
Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha se në këtë mënyrë të rinjtë e të tre shteteve do të njohin më afër vendet e tyre fqinje si dhe përmes projekteve të tilla zhvillohet turizmi në këto rajone. Tetovën sot e vizituan dhjetëra kryetarë komunash nga Kosova si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.
Në takime u diskutua për projekte të përbashkëta. Në kuadër të kësaj vizite për bashkëpunim rajonal mbi turizmin, kreu i Tetovës si dhe dhjetëra krerë të komunave të Kosovës vizituan disa pika turistike në Tetovë, ndërkaq nesër do të vizitojnë Pogradecin.
“Nga ky organizim do duhet të del edhe një iniciativë konkrete për një plan, sepse kur flasim për vizita të rregullta të nxënësve në kuadër të ekskursioneve që i bëjmë në kuadër të shkollave sigurisht do duhet njëfarë mekanizmi për përcjellje të kësaj.
Nxënësit tanë, fëmijët tanë ashtu siç ka qenë dhe në të kaluarën do duhet më mirë t’i njohin qytetet, rajonin dhe vendet e rajonit sepse vetëm kështu mund të shkojmë të bashkuar në Evropë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
“ Midis tre Qeverive, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë bërë mbledhje të përbashkëta Qeverish si Kosova me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria me Kosovën. Nga ana tjetër ne duam që të integrohemi të gjithë bashkë në këtë rajon edhe në një sferë shumë të rëndësishme siç është turizmi dhe pushteti lokal ka një rol të rëndësishëm për t’i detajuar më tej vendimet që do të marrin Qeveritë tona respektive”, u shpreh Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.