Lajmet e rejaMaqedoni

Humanisti rekorder nga Likova ka dhuruar gjak 103 herë: Fillova si 15 vjeçar, nuk e kam ndërmend të ndalem

Të jesh human do të thotë të mbash qëndrim njerëzor e fisnik dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve pa dallime. Nuk ka gjë më të bukur se të kesh zemër të gjerë dhe të madhe, e cila i zë të gjithë. Një zemër e tillë, kudo që të ndodhet mendon si t’u falë gëzim dhe lumturi të tjerëve.

Ky është dedikimi që vajza e tij Semra ia ka bë Bergim Mamutit, humanistitt të njohur nga Likova, me rastin e dekorimit nga Kryqi i Kuq i Kumanovës.

Këtë dekoratë, Bergim Mamuti e ka merituar si dhurues gjaku. Ai është rekorder në komunën e Likovës, duke dhuruar gjak 103 herë.

“Për herë të parë kam dhuruar gjak në vitin 1979 në moshë 15 vjeçare. Jam falemnderues ndaj Zotit që më ka dhënë shëndet dhr mundësi të arrij deri në numrin 103 dhurime gjaku. Sot jam 59 vjeç, por me ndihmën e Zotit nuk e kam ndërmend të ndalem. Do të vazhdoj edhe më tutje”, thotë Bergim Mamuti në bisedë për Lideri.mk.
Që nga viti 2004, Mamuti përfaqëson komunën e Likovës në Shoqatën e Dhuruesve të Gjakut në nivel republikan.

“Të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm është dhurimi i gjakut për personat që kanë nevojë. Kjo më ka motivuar që çdo herë kur e kërkon nevoja të paraqitem vullnetar, si dhe në aksionet që organizohen per grumbullimin e gjakut”, thekson Mamuti.