Maqedoni

Maqedonia e Veriut afër vendimit për t’i dhuruar Ukrainës helikopterë

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska para disa dite në Click Plus në TV21 konfirmoi se Qeveria në mbledhjen e 14 marsit ka mori vendim për donacion të ri ushtarak ndaj Ukrainës, përcjell TV21. Të pyetur nëse Maqedonia e Veriut do t’i dhurojë helikopterë Ukrainës, nga Ministria e Mbrojtjes thonë se kjo kërkesë e autoriteteve ukrainase po shqyrtohet, ndërkaq theksojnë se vendimi i 4 marsit që mori Qeveria, është i klasifikuar.

“Vendimi i së martës për ndihmën ushtarake për Ukrainën është informacion i klasifikuar. Ju informojmë se në përputhje me kërkesat nga pala ukrainase, po bëhet një analizë nëse kërkesa e tyre për dhurimin e helikopterëve mund të merr përgjigje pozitive. Kjo analizë merr në konsideratë planet e përcaktuara në Planin Afatgjatë për Zhvillimin e Aftësive Mbrojtëse, i cili parashikon furnizimin me helikopterë të rinj për shumë qëllime, për të zëvendësuar ata ekzistues”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes për “360 gradë”.

Aktualisht vendi posedon 12 helikopterë “MI-24”. Ende nuk dihet nëse ekzekutivi do të marrë vendim pozitiv për kërkesën e autoriteteve ukrainase dhe se me çfarë helikopterë do t’i zëvendësojë helikopterët “MI-24” në rast se jepen si donacion./tv21.tv