Maqedoni

Parashikimi ogurzi i “naçallnikut” maqedonas: Vrasjet në Shkup do të vazhdojnë! (Video)

Ish kryeshefi policor Lubomir Gjurçevski ka komentuar incidentin e armatosur me dy viktima në Çarshinë e Shkupit.
Në deklaratën e tij për televizionin Kanal 5, ai bën parashikimin ogurzi se qërim hesapet e armatosura do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ndryshe autorët e vrasjes së dyfishtë ende janë në arrati ndërsa nuk dihen as motivet e incidentit të armatosur. Policia ka zbardhur pak detaje ndërsa prokuroria njofton se po punon për vërtetim e veprës dhe identifikimin e autorëve. Deri tani është gjetur vetëm një veturë e djegur që dyshohet se kanë përdorur autorët e krimit.

Nga incidenti i armatosur mbrëmjen e kaluar në këtë lokal mbetën të vrarë Jeton Krivanjeva dhe Enez Isejni ndërsa u plagos edhe një person i tretë. E gjitha që dihet për autorët e krimit deri tani është një veturë e gjetur e djegur afër lagjes Vizbeg.

Sipas policisë Krivanjeva me emrin e njohur “Zhilla” dhe Isejni me emrin e njohur “Llaci” janë sulmuar nga 5 persona të maskuar dhe të uniformuar ku si pasojë e plagëve kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. I plagosur ka mbetur personi Talha Ali 34 vjeç për të cilin supozohet të ketë punuar kamerier në lokalin ku ndodhi incidenti në rrugën që ndanë Kalanë e Shkupit dhe Çarshinë e Vjetër. Vetura me të cilën dyshohet të kenë lëvizur autorët e krimit është gjetur e djegur 20 minuta pas incidentit në një lokacion periferik. Prokuroria Publike ka sekuestruar provat nga vendi i ngjarjes dhe me kamerat e sigurisë po punon në identifikimin e autorëve dhe zbulimin e trajektores së lëvizjes.