Maqedoni

Intelektualja e re nga Shkupi i bashkangjitet BDI-së, krahut të Izet Mexhitit

Intelektualja e re nga Shkupi, Nermine Hamidi, i është bashkuar BDI-së, krahut të udhëhequr nga Izet Mexhiti.

“Unë besoj se edhe ne gratë e kemi vendin në politikbërje!
E kemi obligim, mision dhe vizion të kontribojmë me vepra deri në ditën e fundit të jetës edhe nëse e shohim se Dielli ka lindur ka Perëndimi!
Me këtë natyrë kemi lindur dhe vetëm se po e vazhdojmë rrugën e femrave që e kanë ndryshuar botën dhe janë historia vet!”, ka shkruar Hamidi pas takimit me Mexhitin.

Mexhiti theksoi se takimi i sotshëm me Nermine Hamidin është dëshmi se në këtë rrugëtim po bashkangjiten edhe ato femra dhe të rinj që janë të gatshëm për kauzën tonë politike dhe që për herë të parë po i bashkangjiten rrugëtimit politik me shumë besim dhe elan.

“Së bashku, me kontribut dhe punë do ta dëshmojmë se qëllimi ynë mbetet të krijojmë vlera në mesin tonë duke i mbështetur dhe përkrahur ato, pra gratë dhe të rinjtë.
Vetëm duke i respektuar dhe duke i pozicionuar në mesin e përbashkët politik, do të sjellim ndryshime pozitive në politikbërje pa i diskriminuar”, shtoi Mexhiti.