Maqedoni

Lajm i mirë për politikanët nga Maqedonia, lista e zezë amerikane nuk do zgjerohet me emra të rinj?

Shumë politikanë nga Maqedonia e Veriut e kanë pranuar me lehtësim deklaratën e fundit të diplomatit amerikan, Gabriel Eskobar.

Pjesën në të cilën Eskobar shprehet “unë besoj se mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin nuk është përmes sanksioneve amerikane”, politikanët që shohin veten si kandidatë të mundshëm, e kanë vlerësuar si sinjal se “lista e zezë” së paku për momentin nuk do zgjerohet.

“Unë besoj se mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin nuk është përmes sanksioneve amerikane, por përmes hetimeve të brendshme dhe institucioneve vendase, duke forcuar sundimin e ligjit”, tha Eskobar.

Mirëpo njohësit e rrethanave vlerësojnë se nuk është e saktë se z. Eskobar ka dhënë sinjale të tilla, transmeton Lideri.mk. Ata theksojnë pjesën e dytë të kësaj deklarate, për të cilën thonë se shumë qartë tregon se SHBA nuk do t’i “len rehat” politikanët e korruptuar.

“Sanksionet tona nuk janë zëvendësim për proceset e brendshme dhe institucionet që janë atje për të promovuar sundimin e ligjit. Inkurajoj qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha qeveritë në vendet e Ballkanit Perëndimor që të angazhohen në luftën kundër korrupsionit, gjë që të gjashtë vendet e kanë të përbashkët dhe e vetmja gjë e rëndësishme për kapacitetin e tyre ekonomik dhe demokratik”, kan shtuar Eskobar në pjesën e dytë të deklaratës, gjatë një brifingu online.

Ndryshe para më shumë se një muaj, edhe ambasadorja amerikane në vend, Angella Ageler u shpreh qartë se pret që persona nga Maqedonia të gjenden në të ashtuquajturën, listë të zezë. Në një intervistë për “Telma”, ajo tha se nuk është vetëm ky lloj i sanksioneve, por se ka më shumë dhe se momentalisht hetimet janë në vazhdim. Ageler porositi qytetarët të jenë të durueshëm.

“Nuk kam një afat kohor, sepse Uashingtoni do t’i publikojë kur të përfundojnë hetimet dhe konkluzionet. Ne punojmë ngushtë së bashku në zhvillimin e rastit.
Pritshmëritë e mia janë që në muajt në vijim të shohim disa emra, por nuk e di se cili është afati i saktë kohor”, deklaroi Angela Ageler – Ambasadore e SHBA.

Ageler shtoi se pasi mori detyrën, te ajo janë paraqitur një numër i madh i njerëzve për të cilët thuhet se i kanë shkelur rregullat. Megjithatë, siç theksoi ajo, njerëzit duhet të jenë më shumë të interesuar se pse janë futur ata persona në listë.

“Më pyesin për listën, por po e përsëris, ajo nuk është vetëm një listë, por është edhe një mundësi që qytetarët të jenë më pak të fokusuar në një listë, por më shumë të fokusohen në llojet e aktiviteteve dhe veprimeve për shkakun e të cilave dikush është vendosur në listë. Mendoj se kjo është një mundësi që gjyqësori seriozisht të vështrojë veten, qofshi gjyqtar, prokuror apo cilido qoftë roli juaj, dhe të pyesë “a po e bëj punën time me integritet”, tha Angela Ageler – Ambasadore e SHBA.

Ageler tha se ka shembuj në shoqëri që ngjallin dyshime, jo vetëm në Uashington, por edhe në opinionin vendas. Ndryshe, para do kohe në Maqedoni erdhi një ekip sanksionesh nga Departamenti i Shtetit. Presidenti Pendarovski vlerësoi se ata kanë qëndruar në vend pikërisht për të punuar në përgatitjen e “listës së zezë”.