Opinion

Fuqia e dashurisë është e pafundme

“Dijenitë e mëdha burojnë nga thesaret e vogla. Ky thesar i vogël është mendja jonë dhe fuqia e saj e pafund”. (Dr. Vlora Obërtinca)

Ne jetojmë në një shoqëri evropiane, ku fare pak predikohet mënyra pozitive e të menduarit si çelës për jetë të suksesshme. Madje mbizotëron frenimi, ku një shoqëri e tërë predikon se si njeriu duhet të punojë shumë për të arritur pak, që realisht flet për një rrugë fizike dhe psikike të mundimshme. Në vend që të predikohet të menduarit pozitiv si gur themel për të filluar çdo punë me lehtësi, në fakt është predikuar mendimi negativ për të arritur diçka pozitive në jetë dhe kështu, mbi bazën negative, çdo ditë e më shumë është trashur negativiteti i të jetuarit dhe si pasojë e kësaj, në shumicën e rasteve, njerëzit nuk arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre.
Ka raste, kur njerëzit rezonojnë pozitivisht dhe arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre, qoftë realizimin e studimeve në universitetin më të mirë apo edhe të bëjnë punë që paguhen shumë mirë, por nuk dinë ta shpjegojnë se si pas arritjes së të gjitha qëllimeve të jetës, ndihen të zbrazët dhe shpeshherë kalojnë në depresion dhe nuk dinë ta shpjegojnë pse ndodh kjo.
Kjo ndodh, sepse e tërë energjia jonë ndër vite harxhohet me dominimin e negativitetit, duke u munduar të realizojmë dëshirat dhe qëllimet tona. Çuditërisht, ditë pas dite zgjohemi të lodhur, të rraskapitur, pa vullnet për jetë dhe punë, që dikur aq shumë dëshiruam ta arrijmë. Tani jemi këtu dhe nuk dimë t’i gëzojmë këto të mira dhe pyesim veten: Vallë, a jemi ne të vetmit që po na ndodh kjo, ngaqë askush tjetër pos nesh nuk është duke u ankuar? Askush nuk ankohet, ngaqë secili prej nesh ka frikë, që të mos e dinë të tjerët se si ndihemi brenda vetes, sepse mund të paragjykohemi nga shoqëria dhe nga rrethi i ngushtë dhe mund të përfundojmë të diskriminuar apo të përjashtuar nga ky rreth. Kjo ndodh ngaqë nuk jemi të hapur me njëri-tjetrin, nuk jemi të sinqertë, sepse frika na e drejton jetën dhe jo motivi pozitiv për jetën.

Fuqia e dashurisë është e pafundme

“Njeriu nuk e ka zbuluar ende formulën e qasjes së drejtpërdrejt në databazën e të dhënave të shpirtit, në mënyrë që të mund të rrëfejë historitë nga jetët e kaluara të shpirtit tonë”, Dr. Vlora Obertinca.

“Lao Tzu njihet si një filozof dhe shkrimtar kinez i periudhës së shekullit VI deri të IV para Krishtit. Njihet si autor i librit “Tao te Ching” – “Mënyra e jetës”, libër që vlerësohet si një ndër librat me përmbajtje të diturive sekrete të të jetuarit të shëndetshëm të jetës. Ndonëse me përmbajtje të thjeshtë, përcjell mendime të thella, që kërkojnë zbërthim përmbajtësor, gjë që ka tërhequr shumë mendje të ndritura të kohës bashkëkohore të merren me analizimin dhe shpjegimin e thënieve të Lao Tzu. Secili autor ka mënyrën e vet të shpjegimit të thënieve të tij, që do të thotë se të gjithë e kanë mirë, por thëniet e tij mund të vazhdojnë të interpretohen më tutje edhe në shumë mënyra të tjera nga autorë të ndryshëm.

Lao Tzu, para mijëra vitesh, na ka treguar për fuqinë e dashurisë, fuqi që mund të na bëjë të shkojmë në qiellin e shtatë nga lumturia apo, nëse lejojmë të lëndohemi nga dashuria, mund të shkatërrojmë, madje edhe organizmin tonë si të tillë.

Porosia e Lao Tzu-së është e thjeshtë për ta kuptuar, sepse dashuria është e pafund dhe nuk harxhohet kurrë, ngase njeriu nuk dashuron vetëm një herë në jetë, por shumë herë. Andaj, pse të shkatërrohemi për dashurinë e një njeriu që nuk e meriton dashurinë tonë, duke e ditur se toka mban mbi 7 miliardë njerëz dhe në çdo kohë mund ta kërkojmë dhe ta gjejmë një dashuri të vërtetë, sepse po të ishte dashuri e vërtetë, nuk do të perëndonte aq shpejt. Dashuria e vërtetë është pak më tutje, në një vend dhe një kohë tjetër, vetëm duhet besuar”.

– fragmente shkëputur nga libri im motivues “ Vera e shpirtit “