Maqedoni

Kush e solli kryqin në Tabanocë, për momentin mbetet enigmë!

Tabanoci. Një fshat i vogël kufitar por që ditëve të fundit morri vëmendjen për dallime religjioze.

“Një kryq i vendosur në fshatin Tabanoc të Kumanovës ka provokuar banorët për rreth. Në fshatin ku është vendosur erdhëm dhe biseduam me banorët. Disa thonë është investim privat dhe disa të tjerë thonë se është kontribut i banorëve”, raporton Adrian Kerimi, gazetar i Alsat.

Banorët e fshatit nuk ishin të qartë në deklaratat e tyre se kush e solli kryqin në fshat. Herë thonë se e ka bërë një kompani dhe herë thonë se kanë grumbulluar para. Me banorët e fshatrave përreth kishin tension, pse andej ndërtohen xhami edhe këtej do të vendoset kryq.

“Pronari e ka paguar, e ka sjell dhe aq. Kush e ka paguar nuk e dimë. A nuk të tregoi djali yt se kush e ka paguar? Jo, jo assesi. Si ta pranoj unë kur nuk e kam paguar. Po pse ti nuk e pranon se ke bërë xhami në Vojnoviç. Ti e kë bërë, ti”.

“Diçka kemi mbledhur por nuk e dimë saktë. E din Toni më mirë. A keni pyetur sa ka kushtuar? Nuk e di, në fakt nuk e din askush. E din pronari i kompanisë. Pronari është nga ky fshat, me prejardhje të këtij fshati? Jo, ai jeton në Kojnare të Poshtme”.

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski hedh poshtë pretendimet dhe akuzat se komuna ka financuar, mbështetur apo realizuar vendosjen e kryqit. Dimitrievski pa e pyetur fare tha se ka legalizuar disa xhami në qytet dhe se me vendosjen e kryqit dikush po tenton të përfiton pikë politike duke përçarë qytetarët në baza fetare.

“Sipas informacioneve që kam unë iniciativa është e bashkësisë lokale dhe disa donatorëve. Disa persona fizik kanë gjetur kompaninë dhe e kanë bërë me vetorganizim. Jam ndër iniciuesit kryesor për legalizimin e objekteve fetare në mesin e të cilave xhami të ndërtuara në të kaluarën pa pajtueshmëri teknike dhe juridike. Në këtë rast, nga persona të caktuar po tentohet të mblidhen pikë politike. Kumanova është qytet i tolerancës. Kryqi është vendosur në rrethinë të pastër etnike”, deklaroi Maksim Dimitrievski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.

Kryqi i vendosur në Tabanoc do të promovohet zyrtarisht në ditën e Shën Gjergjit. Në Kumanovë ka disa të tillë të vendosur nëpër vendbanime kryesisht të banuara nga qytetarë maqedonas me përkatësi fetare ortodokse. /Alsat.mk