Maqedoni

Mashtrim në Shkup, ia morën 5.000 euro, nuk ia shitën banesën

MPB bën të ditur se ka parashtruar kallëzim penal për mashtrim ndaj 33-vjeçarit F.S. nga Shkupi dhe 31-vjeçarit F.J. gjithashtu nga Shkupi, pasi të njëjtit dyshohen se i kanë marrë 5.000 euro një personi nga Kavadari, si paradhënie për blerjen e një banese në Shkup, që nuk ishte pronë e tyre, përcjell TV21.

“Gjatë muajit nëntor 2022, të akuzuarit kanë krijuar një shpallje në një nga portalet e regjistruar për shpallje se gjoja po shesin një apartament dhe kanë fotografuar një apartament tjetër të shpallur për shitje. Në atë mënyrë e kanë hutuar të dëmtuarin nga Kavadari se banesa e shpallur për shitje është pronë e personit juridik përfaqësuesi i të cilit ka qenë i raportuari i dytë. Të dëmtuarit i kanë treguar edhe fotografitë e banesës përmes aplikacionit Viber dhe i kanë kërkuar që t’i paguajë 5.000 euro paradhënie për shitblerje të banesës, në llogarinë e personit juridik, respektivisht të raportuarit të dytë. Pas kësaj kanë vazhduar ta mashtrojnë të dëmtuarin me arsyetime të ndryshme lidhur me shitblerjen e banesës dhe i njëjti pasi ka parë se nga shitja e banesës së shpallur nuk ka asgjë, gjegjësisht se është mashtruar, ka paraqitur rastin në polici”, thonë nga MPB./tv21.tv