Gjykatësi ka një lajm të keq për të dënuarit në rastin “Alfa”
Kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev në një takim me gazetarët pranoi se rasti “Alfa” tani e tutje mund të ndërlikohet duke iu referuar përsëritjes së procesit të gjykimit. Sipas tij, vendimi i përshkallëzuar i Gjykatës së Apelit ndaj Almir Derplaninit nga 20 vite burg në dënim me burg të përjetshëm, pamundëson Këshillin Penal në gjykatën e shkallës së parë të vlerëson kërkesën për rigjykim pa u shterur të gjitha instancat. Në këtë pikë Xholev i referohet ankesës që mbrojtja e Derplanin do të bëjë në Gjykatën Supreme kundër lartësisë së dënimit nga shkalla e dytë. Procesi në instancën më të lartë nuk mund të parashikohet, por nuk përjashtohet mundësia e zvarritjes së procesit me muaj të tërë. Xholev tha se çfarëdo veprimi i Këshillit Penal derisa ankesa është në Supreme, do të merret si ndikim në punën e gjykatës më të lartë.
“Deri tash pritej që Këshilli Penal të vendosë mbi kërkesën për rigjykim. Pritej plotfuqishmëria, pritej vendimi i shkallës së dytë, megjithatë tash e gjithë çështja ndërlikohet për shkak se 20 vitet dënim që i kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë për njërin nga të akuzuarit, tash nga ana e Apelit është modifikuar në dënim me burg të përjetshëm. Tash kanë të drejtën e ankesës së shkallë të tretë në gjykatën Supreme, kështu që supozoj se tash do të pritet vendimi i Supremes”, tha Ivan Xholev, Kryetar i Gjykatës Penale.
Lënda që i referohet kërkesës për rigjykimin ndaj Agim Islamit ka arritur në Gjykatën Penale. Kërkesa e Islamit bazohet në dëshmitë e reja, përkatësisht super ekspertizën e siguruar e cila dëshmon se Agim Islami dhe i ndjeri Rexhail Qerimi nuk përputhen më gjatësinë trupore, lëvizjet dhe peshën e mundshme të personave që vërehen në video incizimin kur kryet vrasja në parkingun e Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup.
Ndërkohë mbrojtja në rastin e Almir Derplanin, i gjykuar ndaras nga Agim Islami dhe Rexhail Qerimi dhe i dënuar në mungesë është duke përgatitur ankesën kundër vendimit të Apelit. E njëjta në Supreme do të dorëzohet gjatë dy javëve të ardhshme.
Rigjykimi për rastin “Alfa” ndër vite ishte premtim i çdo subjekti politik në programet zgjedhore dhe qeveritare, por deri tani nuk kanë ndërmarr asgjë konkrete pavarësisht premtimeve ndaj të dënuarve dhe familjarëve të tyre. /Alsat.mk