Pavarësia e Kosovës, Taravari apelon të rishqyrtohet pozita e RMV-së në projektin “Ballkani i Hapur”
Duke uruar 15 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i ASH-së, Arben Taravari u drejtohet me thirrje liderëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, që të ndërtojnë konsensus rreth dialogut Kosovë – Serbi.
Taravari kërkon edhe përcaktimin e parimeve rreth pjesëmarrjes së RMV-së në mekanizmat e bashkëpunimit rajonal në fushën e avancimit të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës, siç është projekti “Ballkani i Hapur”.
“Apeloj tek të gjithë krerët e partive politike në Maqedoninë e Veriut që të ulemi bashkë dhe të dalim me qëndrim të përbashkët në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe kontributin tonë drejt një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme. Me njohjen reciproke, ne kërkojmë zgjidhjen ideale për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Është urgjente që partitë politike në Maqedoninë e Veriut të kenë pozicione të qarta për dy mekanizmat kryesorë të bashkëpunimit rajonal – Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur. Kjo pjesëmarrje duhet të jetë në funksion të promovimit të barazisë të gjashtë shteteve të rajonit si vende të pavarura dhe sovrane”, thuhet në apelin e kreut të ASH-së drejtuar krerëve të parive tjera politike shqiptare në vendin tonë.
Ndryshe, pos BDI-së që është pro “Ballkanit të Hapur”, partritë e tjera politike shqiptare në RMV, kanë shprehur rezervat e tyre, kurse ASH ka vlerësuar që në fillim, se ky projekt më pak mund të shkojë në dobi të kombit shqiptar në Ballkanin Perëndimor.