Ndërroi jetë veterani i arsimit kumanovar Bejzad Ismaili
Sot qenka ndarë nga jeta profesori Bejzad Ismaili, intelektuali i shquar kumanovar, i cili për shumë dekada ka dhënë kontribut të madh në arsim, kulturë dhe gazetari.
Ai njihej si një personalitet i urtë me diapazon të gjerë të diturisë. E njoha gjatë kohës si studimeve, që kur vija nga Tirana doja të takoja për të folur për gazetarinë, libra e për tema të tjera, ku nuk mungonin këshillat dhe vlerësimet e tij që gjithmonë kanë qenë bashkëkohore.
Gjatë kohës si mësimdhënës ka qenë një frymëzues për vlera arsimore dhe kulturore, duke kaluar dhe periudhën e vështirë të diskriminimeve dhe diferencimeve në arsimin shqip.
Profesori Bejzad Ismaili nuk u shqua vetëm në arsim, por ai dha kontribut të madh në fushën e gazetarisë, ku qëllimi dhe insistimi i tij ishte për një gazetari me vlera, duke e vënë theksin tek formësimi intelektual i një gazetari me bagazh gjuhësor dhe kulturor. Ai fillet e para në gazetari i kishte në Radio Kumanova, emisionet në gjuhën shqipe, ndërsa më pas ka dhënë një kontribut edhe në televizionin privat TV Hana në Kumanovë. Periudhën pas pensionimit e ka kaluar në Kumanovë, por duke mos lënë aktivitetet kulturore dhe letrare.