Maqedoni

Kryediplomati bullgar: Ambasadori ynë kthehet në Shkup kur të ketë kushte

Ambasadori bullgar në Maqedonin e Veriut, Angell Angellov, mund të kthehet në Shkup kur të krijohen kushtet e duhura për këtë, tha sot ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov.

– Nëse fillon një dialog i nivelit të lartë, në të cilin duhet të marrë pjesë edhe ai, ambasadori mund të kthehet në çdo moment, shtoi Millkov në një konferencë për media, ku informoi për aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, se vendimi për të ftuar ambasadorin Angellov në konsultime në Sofje ishte një veprim i pabazuar, i paargumentuar dhe disproporcional, Millkov tha se një procedurë e tillë pasqyron bindjen e Bullgarisë se situata “ka shkuar shumë larg” dhe se “masa e tillë është e nevojshme”.

“Nëse Republika e Maqedonisë së Veriut konsideron se thirrja e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe të plotfuqishëm të Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Angell Angellov, është joproporcionale, ndoshta nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës”, tha Millkov.

Sipas tij, në këtë moment është e nevojshme që ambasadori Angelov të jetë në Sofje “për të qartësuar një sërë qasjesh” në lidhje me politikën bullgare ndaj vendit.

– Masa është e koordinuar në nivelin më të lartë. Kjo nuk është diçka që është vendosur rastësisht vetëm në nivel të Ministrisë së Jashtme. Kjo është një përgjigje kombëtare”, shtoi Millkov.

Raportet mes Sofjes dhe Shkupit zyrtar sërish janë tensinuar pas incidentit të fundit në qytetin e Ohrit, ku sekretar i klubit kulturor bullgar “Car Borisi i Tretë”, Hristijan Pendikov, u rrah nga tre persona në një objekt hotelerik.trt