Kosovë

17 vjet nga vdekja e Rugovës: Liderë vendorë e ndërkombëtarë çmojnë lart krijimtarinë e tij

Sot shënohet 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Madje media të shumta botërore zunë vend në Kosovë dhe u mahnitën me pamjet se si rreth 700 mijë qytetarë në acar e të ftohtë rreth -20 gradë, përcollën e nderuan për herë të fundit presidentin Rugova.

Më 23 janar 2006, funerali me trupin e presidentit Rugova u vendos në hollin e Kuvendit të Kosovës, dhe edhe pse ishte i ftohtë i madh, njerëzit nuk u ndalën që për tri ditë me radhë të bënin homazhe.

E 17 vjet pas vdekjes, krerë vendorë e ndërkombëtarë çmuan lart jetën dhe veprën e ish-presidentit Rugova, të cilin e vlerësuan si themeltar të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

15:54 – Edi Rama: I përjetshëm kujtimi i Ibrahim Rugovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mesin e shumë liderëve vendorë e ndërkombëtarë ka përkujtuar ish-presidentin e vendit, Ibrahim Rugova.

“I përjetshëm kujtimi i Ibrahim Rugovës”, ka shkruar shkurtimisht Rama.

Kujtojmë se ish-presidenti Ibahim Rugova u nda nga jeta më 21 janar të vitit 2006.

15:45 – Krasniqi: Përkushtimi i Rugovës la gjurmë në historinë e Kosovës

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Krasniqi thotë se Rugova ka lënë gjurmë në historinë e vendit në kuadër të përpjekjeve sublime për liri dhe pavarësi, njofton Klankosova.tv.

“Në përvjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, kujtojmë përkushtimin e tij politik që la gjurmë në historinë e vendit tonë, në kuadër të përpjekjeve sublime për liri dhe pavarësi”.

“Vepra intelektuale, politike dhe institucionale e Dr. Ibrahim Rugovës, mbetet e vlerësuar, e çmuar dhe shtetësisë së Kosovës i shërben si dëshmi e një historie unike politike në Evropë dhe botë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

15:28 – Begaj: Rugova ishte simbol i politikanit paqësor që shtroi udhën e pavarësisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka çmuar lart veprën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.

Begaj thotë se Rugova ishte simbol i politikanit paqësor që shtroi udhën e pavarësisë, njofton Klankosova.tv.

“Nderim përjetë Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, simboli i politikanit paqësor që shtroi udhën e Pavarësisë së saj. Mirënjohje”, ka shkruar Begaj në Facebook.

15:03 – Ish-diplomati norvegjez kujton Rugovën: Mbresëlënës e frymëzues për qetësinë e tij

Ish i dërguari i Sekretarit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Kai Eide, ka kujtuar ish-presidentin, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.

Ish-diplomati norvegjez thotë se ka kujtime shumë të bukura që nga takimi i parë me Rugovën më 1995 e deri në ditën e trishtë të përcjelljes së kortezhit në atë ditë të ftohtë, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se Rugova ishte mbresëlënës dhe frymëzues në mënyrën e tij të qetë, dinjitoze.

“Kaq shumë kujtime të bukura – nga takimi im i parë me të në vitin 1995 deri në ditën e fundit të trishtuar, duke ecur në atë të ftohtë të hidhur në kortezhin e tij me funeral! Një njeri kaq mbresëlënës dhe frymëzues në mënyrën e tij të qetë, dinjitoze. Kosova e meriton vendin e saj të merituar në komunitet…”, ka shkruan Eide në Twitter.

14:12 – Pacolli: Rugova do të kujtohet për udhëheqjen e tij për një Kosovë të integruar në Perëndim

Kreu i Aleancën Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kujtuar ish-presidentin e vendit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.

Pacolli thotë se Rugova do të kujtohet për udhëheqjen e tij për një Kosovë të integruar në komunitetin perëndimor, njofton Klankosova.tv.

“17 vjet më parë ka ndërruar jetë presidenti i parë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes për Liri dhe Pavarësi, Dr. Ibrahim Rugova. Ne do ta kujtojmë gjithmonë vizionin dhe udhëheqjen e tij për një Kosovë të pavarur, të lirë dhe të integruar në komunitetin perëndimor. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

12:55 – Szunyog kujton Rugovën: Qasja e tij paqësore na nevojitet shumë sot

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e tij të vdekjes.

Szunyog vlerëson se Rugova do të mbahet mend gjithmonë si promotor i qasjes paqësore për arritjen e qëllimeve politike e cila sipas tij është shumë e nevojshme këto ditë, njofton Klankosova.tv.

“Dr. Ibrahim Rugova do të mbahet mend gjithmonë si promotor i qasjes paqësore dhe jo të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike, e cila është shumë e nevojshme këto ditë. Trashëgimia e tij jeton. U preftë në paqe”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

12:17 – “Lutje Zotit”, shkrimi i Rugovës më 12 qershor, 1999

Në 17-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, lexuesve tanë ua kthejmë një nga kujtimet më të paharrueshme të historisë sonë të luftës për liri dhe çlirimit.

Kjo është “Lutje Zotit” e shkruar nga Rugova më 12 qershor 1999, në ditën e lirisë së vendit kur forcat serbe po largoheshin përfundimisht nga Kosova dhe shqiptarët po i prisnin me lule dhe përqafime luftëtarët e lirisë dhe aleatët e saj, NATO-n, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Klankosova.tv.

Nëpërmjet kësaj lutjeje, ish-presidenti Rugova lutej e falënderonte Zotin për kthimin e shqiptarëve në tokën e tyre.

Më poshtë e gjeni lutjen e plotë të ish-presidentit Rugova: