Kryeministri Kurti priti në takim ministrin e Jashtëm gjerman Maas
Prishtinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me dy zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bëhet e ditur se ministri gjerman ka ripërsëritur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qeverinë e re.
Sipas njoftimit, gjatë takimit i është dhënë mbështetje synimeve të qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ministri deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës. Ai konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”, bëhet e ditur në njoftim.
Temë e takimit ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti theksoi se qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime dhe se Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Maas biseduan për hapat konkretë për bashkëpunimin e mëtejmë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë.
Më herët Maas u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, të premten ai do të jetë për vizitë zyrtare në Serbi për të zhvilluar takime me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Brnabiq dhe homologun e tij serb, Nikolla Selakoviq.