Bekim Sali i përgjigjet Apasievit: Albanofobët nuk mund t’i ndalin avancimet e shqiptarëve në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë nga radhët e Alternativës, Bekim Sali, i është përgjigjur Dimitar Apasievit të Levicës për akuzat se po avancon vetëm shqiptarët në shëndetësi. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Sali thotë se në Ministrinë nën drejtimin e tij do të avancohet secili që e meriton, pavarësisht dëshirave albanofobe të Apasievit dhe të tjerëve.
“Apasievi seriozisht duhet të kërkojë ilaç për shërimin e albanofobisë. Edhe pse kemi personel të mirë nëpër klinika, fatkeqësisht Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka zbuluar ilaç për albanofobinë. Në ministrinë që e drejtoj unë secili avancohet sipas meritave dhe punës që e bën e jo sipas përkatësisë partiake e politike që e ka”, shkruan Sali.
Kryetari i partisë Levica, Dimitar Apasiev, kishte vërejtje se ministri Bekim Sali nga AlternAtivA ka avancuar 17 persona në sektorin e shëndetësisë, prej tyre 14 shqiptarë dhe vetëm 3 maqedonas.