Kryeministri Kurti: Ambasadori Walker, duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e nderimit të Ambasadorit William Walker me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti “Haxhi Zeka”:
I nderuar ambasador William Walker, mik i madh i Kosovës,
E nderuar ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, znj. Arbërie Nagavci,
Të nderuar ministra të tjerë të Qeverisë së Republikës, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari dhe Armend Mehaj,
I nderuari rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, z. Armand Krasniqi,
Të nderuar rektorë e profesorë të universiteteve të tjera,
I nderuari kryetar i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe ju kryetarë të komunave të tjera, të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të Junikut, Ruzhdi Shehu, dhe të Shtimes, Qemajl Aliu,
I nderuar Kryetar i Komisionit parlamentar për arsim, Ardian Gola,
I nderuari deputet i Kuvendit, Bexhet Pacolli,
Shumë të nderuar studentë, përfaqësues të misioneve diplomatike, punonjës të Universitetit e të administratës,
E nderuara zëvendësambasadore Alyson Grunder,
Zonja dhe zotërinj, të nderuar të pranishëm,
Në kohëra të vështira historike, njësoj siç në periudha krizash personale, një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm. Madje edhe atëherë kur nuk e keni një mik të mirë, janë pikërisht kohërat e vështira ato që mund t’ua sjellin një të tillë. Në botën e traditave shqiptare, miku i shtëpisë është një figurë tejet e respektuar, e cila nderohet deri në paprekshmëri, sipas kodeve tona zakonore shqiptare të mikpritjes, që është vlerë e theksuar e jona. Sot jemi mbledhur pra këtu në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, pikërisht për të nderuar një mik të madh të Kosovës dhe të popullit të saj: diplomatin amerikan William Walker.
Zotëri William Graham Walker është vërtet një mik i popullit të Kosovës, sepse mes njerëzve të vendit tonë, janë të pakët qytetarët e huaj që janë kaq gjerësisht të njohur dhe kaq unanimisht të vlerësuar sikurse zotëri Walker. Në këtë pikë, dua të them veçanërisht, që ambasadori Walker është dhe miku im, që nga koha e luftës kur jemi takuar për herë të parë dhe jemi njohur në Prishtinë dhe deri sot kur po ritakohemi sërish këtu në Pejë.
Më 1998, ambasadori William Walker erdhi në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin. Për qytetarët e Kosovës atë kohë aq shumë i mirëseardhur, ky mision ishte lehtësisht i identifikueshëm nga veturat me ngjyrë portokalli me të cilat lëviznin të 700 anëtarët e këtij misioni verifikues.
Në mediat ndërkombëtare atë kohë, Kosova ende prezantohej si një provincë e Serbisë, ku në njërën anë ishin forcat e armatosura policore dhe ushtarake serbe të regjimit të Millosheviqit, kurse në anën tjetër vullnetarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ushtri ishte krijuar si një lëvizje e armatosur guerile, nga populli shqiptar i Kosovës, i cili që nga viti 1945, ishte mbajtur dhunshëm nga Serbia nën Jugosllavinë e dytë, si komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Qëllimi i UÇK-së atëbotë ishte të luftonte forcat jugosllave deri në çlirimin e Kosovës, çfarë edhe u arrit në qershor të vitit 1999. Por në fillet e saj, duke qenë jo shumë e njohur për qëllimet dhe teknikat e saj, UÇK-ja ishte klasifikuar si ekstremiste e madje edhe terroriste. Do të ishte pikërisht Misioni Verifikues në Kosovë i OSBE-së, ai që me raportimet e tij nga terreni për veprimet luftarake, lëvizjet e popullsisë dhe zhvillimet e tjera në Kosovë, do të ndihmonte në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për UÇK-në, çfarë i siguroi asaj ndihmë nga NATO.
Kur Jugosllavia nisi të shpërbëhej nga politikat nacionaliste shoviniste të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, pasi ndezi luftërat me mijëra viktima në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, radha i erdhi siç e dimë dhe Kosovës. Mbi 60 mijë forca të armatosura të Serbisë, ndërmorën operacione policore dhe ushtarake ndaj shqiptarëve të Kosovës, me qëllim të spastrimit etnik të saj, duke përdorur teknika gjenocidale. Mes viteve 1997 – 1999, mbi 13.500 njerëz u vranë, rreth 20.000 gra e vajza u dhunuan, mes të cilëve kishte edhe fëmijë të vrarë, mbi 1100 sosh, teksa mbi 860 mijë të tjerë, qytetarë të vendit tonë u dëbuan jashtë Kosovës, kurse mbi gjysmë milioni u zhvendosën brenda saj, teksa qindra fshatra të tëra e lagje qytetesh u dogjën dhe pasuritë e tyre paraprakisht u plaçkitën.
Duke synuar shpartallimin dhe shpërbërjen e plotë të njësive të UÇK-së, me qëllim për t’u hakmarrë ndaj ushtarëve të saj, në janar të vitit 1999, policia e Serbisë e rrethoi fshatin Reçak të Shtimes, me justifikimin se po kërkonin “terroristët” shqiptarë. Ata nuk i lejuan verifikuesit e OSBE-së të hyjnë në fshat. Në mëngjesin e 15 janarit 1999, forcat e Serbisë vranë plot 45 civilë shqiptarë në Reçak, duke i lënë trupat e tyre në një luginë mes maliit. Kur kreu i Misionit Verifikues në Kosovë, William Walker arriti të hynte në Reçak, ai pa trupat e 45 shqiptarëve të vrarë të këtij fshati, nga forcat serbe. Mes trupave të masakruar të këtyre 45 banorëve të fhsatit e përballë gazetarëve, William Walker deklaroi: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit.” Ky ishte mesazh i qartë dhe shumë i fuqishëm nga një ambasador i OSBE-së, për gjithë publikun dhe komunitetin ndërkombëtar. Asgjë nuk e ka ndryshuar më shumë rrjedhën e ngjarjeve të luftës në Kosovë, se sa jehona e maskarës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, mësuar ashtu siç ishte raportuar për të nga ambasadori Walker.
Po atë mbrëmje, në një konferencë për media në selinë e verifikuesve në Prishtinë, William Walker deklaroi para gazetarëve të shumtë vendorë e ndërkombëtarë, duke thënë: “Nuk kam fjalë për ta përshkruar mllefin tim personal … para një pamje që mund të përshkruhet si krim i pashpjegueshëm. Edhe pse nuk jam avokat, nga ajo që unë pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj krimin si masakër, krim kundër njerëzimit. Gjithashtu nuk hezitoj t’i akuzoj forcat qeveritare të sigurimit për përgjegjësinë.”
Ambasadori Walker para se të jetë mik i Kosovës, ishte dhe është mik i së vërtetës. E duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës.
Të nderuar të pranishëm,
Këto deklarata të ambasadorit William Walker, ishin denoncime zyrtare të tij në emër të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë. Këto raportime të ambasadorit Walker e ndryshuan diskursin dhe kursin ndërkombëtar ndaj luftës që po zhvillohej në vendin tonë. Presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton, reagoi menjëherë duke dënuar vrasjet e 45 shqiptarëve në Reçak nga forcat serbe, teksa u kujdes që trupat e NATO-s të ishin të gatshme për veprim. Dy muaj më pas, më 24 mars 1999, avionët e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve në Jugosllavi, që solli çlirimin e Kosovës në qershor të atij viti.
Andaj nga këtu e përballë jush, më lejoni të ju drejtohem personalisht: faleminderit zotëri William Walker!
Ne shqiptarët nuk do t’ua harrojmë asnjëherë atë çfarë keni bërë për Kosovën dhe historia e popullit tonë tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin tuaj dhe për rolin e kontributin e punës tuaj.
Atë kohë, Serbia e Millosheviqit u pat munduar ta mbulojë krimin e saj në Reçak duke e falsifikuar narracionin për të. Por fatmirësisht, masakra e Reçakut është e dëshmuar nga filmimet e mediave edhe ndërkombëtare, nga dhjetëra dëshmitarë okularë të mbijetuar dhe nga Misioni Verifikues në Kosovë i OSBE-së. Më pas edhe ne pamë të vërtetën, të cilën na e kumtoi së pari ambasadori William Walker. Në bazë të këtyre dëshmive, intervistimit të 63 dëshmitarëve dhe provave të Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për 18 persona serbë që dyshohen se ishin të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut më 15 janar 1999.
Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ne ndamë mjetet për financimin e botimit të librit të shkruar nga ambasadori Walker për masakrën e Reçakut, i cili padyshim që do të jetë një dëshmi e shkruar me shumë vlerë për historinë e kësaj masakre dhe të luftës në Kosovë. Për këtë ju falënderoj përzemërsisht dhe mezi pres ta lexoj këtë libër dhe ta shpërndaj edhe te ata të cilët ende nuk e njohin plotësisht rastin e masakrës së Reçakut.
Në këtë 24- vjetor të masakrës së Reçakut, duke kujtuar 45 viktimat e masakruara nga forcat serbe, më vjen mirë të shoh që ambasadori Walker është ende në shëndet të mirë, se do të vazhdojë dëshmimin e tij për këtë masakër edhe në të ardhmën. Duke ju uruar për titullin “Doctor Honoris Causa” të cilin po e merrni sot nga Universiteti “Haxhi Zeka” këtu në Pejë, më lejoni që bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, edhe një herë të ju falënderoj e t’u jem mirënjohës për rolin tuaj korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.