Maqedoni

Kovaçevski – Zelenski, bisedojnë për zhvillimet në Ukrainë

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski sot, përmes një bisede telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, përcolli mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për popullin ukrainas në agresionin brutal ushtarak të pajustifikuar dhe të paprovokuar që po kryen Rusia kundër Ukrainës.

“Lufta që Rusia filloi gati një vit më parë është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së. Ukraina është një shtet i pavarur dhe sovran me zotërim të plotë të integritetit të saj territorial. Agresioni i kryer nga Rusia meriton dënimin më të ashpër, sepse përveç shkeljes së normave, shkakton edhe vuajtje të mëdha njerëzore dhe përkeqëson ekonominë globale”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Në bisedë u diskutua edhe për ndihmën dhe mbështetjen e mëparshme të ofruar nga Maqedonia e Veriut për Ukrainën. Presidenti Zelenski shprehu mirënjohjen e tij për popullin maqedonas për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e deritanishme. Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën në të gjitha mënyrat e nevojshme.

Në fokus të veçantë të bisedës ishte zhvillimi i ngjarjeve në frontin ushtarak si dhe roli i OSBE-së në mundësitë e përfundimit të luftës.

“Si kryeministër i vendit që kryeson me OSBE-në, do të vizitoj Ukrainën”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.