Shqiptarja merr çmimin “Shkencëtarja e vitit” në Vjenë të Austrisë
Qyteti i Vjenës çdo vit i ndan çmimin „Hedy Lamarr“ një shkencëtareje për arritjet në teknologjinë e informacionit. Në tetorin që shkoi, ky çmim me vlerën 10.000 euro, iu nda Dr. Shqiponja Ahmetajt. Ekskluzivisht dhe për herë të parë për media shqiptare, flet për albinfo.at, fituesja e këtij çmimi, shqiptarja, dr. Shqiponja Ahmetaj
E mërkurë, 4 Janar 2023 – 18:00 Rozafë Rexhepaj
Shqiponja Ahmetaj ishte 18 vjeçe kur u largua nga Shqipëria. Pasi përfundoi shkollën e mesme në Elbasan, iu dha bursë studimi në Universitetin Shtetëror Politeknik të Shën Petersburgut, në Rusi. Kjo i hapi dyert e suksesit vajzës që u rrit nga dy prindër mësues, nga nëna që i vjen nga Kosova dhe babai nga Vuthaj i Plavës e Gucisë. Për ta, largimi i vajzës për në Rusi nuk ishte i lehtë. Por, ata e dinin sa e rëndësishme ishte për të ardhmen e saj një mundësi e tillë për shkollim me cilësi të lartë si ai në Shën Petersburg, shkruan albinfo.at.
Shqiponja Ahmetaj
Rrugëtimi akademik, ardhja në Vjenë
Posa përfundoi studimet Bachelor në Rusi, Shqiponja fitoi një bursë nga Komisioni Evropian për programin „European Master’s Program in Computational Logic“ (EMCL).
Në vitin 2011, ajo nisi studimet Master në Universitetin Teknik ne Dresden të Gjermanisë. Semestrin e dytë e përfundoi në Free University of Bolzano të Italisë. Ndërsa, vitin e dytë të studimeve, Shqiponja zgjodhi të vinte në Vjenë.
Ajo për albinfo.at ka treguar arsyet pse vendosi të mos lëvizte më nga Vjena.
“Për vitin e dytë të studimeve nga katër shtete të ofruara, zgjodha Austrinë, më saktësisht TU Wien. Pas përfundimit të studimeve të Masterit në TU Wien m‘u ofruan disa pozita për të bërë doktoratën dhe zgjodha të qëndroj e të vazhdoj karrierën akademike këtu. Sigurisht, tashmë pas disa zhvendosjesh të njëpasnjëshme që në moshë të re, sfidat e ambientimit në një shtet të huaj ishin bërë të menaxhueshme. Aq më tepër kur bëhet fjalë për Vjenën, kjo përveç të tjerash për shkak të lidhshmërisë perfekte ajrore me Tiranën, e cila mundëson vizita të shpeshta në familje”, thekson Shqiponja për revistën albinfo.at.
Sigurimi i të dhënave, angazhimi i Shqiponjës në post-doktoraturë
Shqiponja tashmë është e fokusuar në post-doktoraturë, ku merret me projektin e saj “FReSH” (Foundations of Reasoning in SHACL), i cili fitoi fonde nga FWF, organizata më e rëndësishme austriake e fondeve, në kuadër të një programi prestigjioz të titulluar „Hertha Firnberg Program“.
Ajo sqaron se ky projekt ka në qendër zhvillimin e teknikave dhe metodave për menaxhimin inteligjent të bazës së të dhënave me fokus në cilësinë e të dhënave.
“Për t’i bërë të dhënat të dobishme për njerëzit dhe aplikacionet, ato duhet të jenë të sakta dhe të besueshme. Megjithatë, diversiteti i paprecedent dhe vëllimet e të dhënave të disponueshme sot e bëjnë atë të prirë ndaj gabimeve. Kështu ndodh sidomos kur integrohen të dhëna heterogjene nga burime të ndryshme ose për të dhënat në web, të cilat shpesh janë të paplota, me gabime dhe mund të çojnë në përfundime të gabuara”, thotë ajo.
Tutje, Shqiponja tregon se puna e saj është që të gjendet zgjidhje për cilësinë e të dhënave, duke u bazuar në metoda të asaj që sot njihet si Inteligjenca Artificiale (AI).
“Ne po zhvillojmë bazat teorike për të vendosur automatikisht cilësinë e të dhënave me një theks në të dhënat e ruajtura në formatin e tyre ne web. Në veçanti, unë fokusohem në një gjuhë kufizimesh të quajtur SHACL, e cila kohët e fundit është standardizuar për përshkrimin e kufizimeve dhe vërtetimin e cilësisë se të dhënave në web. Më konkretisht, një nocion vendimtar që po studiojmë është ai i shpjegueshmërisë, në ditët e sotme një fjalë kyçe gjithnjë e më e rëndësishme në Inteligjencën Artificiale (AI), ku ideja është të shpjegohet rezultati i vendimeve të marra në kuadër të AI dhe të identifikohen burimet e gabimit”, thotë ajo për albinfo.at.
Shqiponja Ahmetaj
Shqiponja mori çmimin „Hedy Lamarr“, me vlerë 10.000 euro
Qyteti i Vjenës çdo vit ndan çmimin „Hedy Lamarr“ një shkencëtareje për arritjet që ka bërë në fushën e teknologjisë së informacionit. Tetorin që shkoi ky çmim iu nda Dr. Shqiponja Ahmetajt dhe që kap shumën 10.000 euro.
“Ndjehem shumë e nderuar dhe i jam mirënjohëse qytetit të Vjenës për këtë çmim. Është shumë bukur kur të vlerësohet puna, këmbëngulja dhe përkushtimi me një çmim të tillë. Është motivim për të vazhduar më tej këtë rrugë dhe për të arritur më shumë suksese në të ardhmen. Sigurisht u ndjeva edhe shumë krenare si shqiptare që ky çmim këtë vit iu dha një “native Albanian”, siç dhe u cilësua në mediat austriake. Mbase ky çmim mund të motivojë sadopak ato vajza apo djem shqiptarë që duan të ecin përpara këtu”, thotë ajo.
Ndërsa, për ata që nuk e njohin, Shqiponja tregon për albinfo.at se Hedy Lamarr ishte inovatore dhe aktore e famshme austriake në Hollywood.
Lamarr ishte ajo që mundësoi një teknologji bazë për komunikimin e sotëm Wireless, të cilin sot e përdor e gjithë bota në përditshmëri.
Planet e së ardhmes, kontributi në Kosovë e Shqipëri
Shqiponja, jetën dhe punën e saj po e bën në Vjenë. Mirëpo, dëshira e saj është që me eksperiencën që ka, të arrijë të kontribuojë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Shqipëri, Kosovë, apo kudo në trevat shqiptare.
Deri më tani, një hap të tillë ajo e kishte marrë në vitin 2016, kur bashkë me kolegë nga Universiteti i Prishtinës kishin iniciuar një simpozium, nga i cili Shqiponja kishte dalë shumë e kënaqur me pjesëmarrjen e studentëve.
“Simpoziumi kishte për qëllim kryesor mbledhjen e akademikëve brenda dhe jashtë trevave shqiptare (nga universitete të mirënjohura botërore) në një event ku të flasin për fushën në të cilën punojnë me qëllim që audienca (studentë dhe akademikë shqiptarë) të njihen me “trendët” në shkenca kompjuterike në universitetet ku ata punojnë. Pjesëmarrja dhe interesi i gjerë i tejkaloi pritshmëritë tona, duke na përforcuar me tej idenë që studentët shqiptarë janë të etur për dije dhe mundësi përparimi”, sqaron ajo për albinfo.at.
B O X
“Ajo që mund të them është që pavarësisht rrugëve alternative që shpesh ofrohen apo propagandohen sot, e vetmja rrugë e sigurt drejt arritjes së objektivave, suksesit, ëndrrave dhe përparimit të shoqërisë është shkollimi”, thotë Shqiponja.
Artikulli është botuar në numrin e fundit të revistës albinfo.at, ku Shqiponja Ahmetaj ishte dhe në ballinën (faqën e parë) të revistës.