RMV, partitë e mëdha vetëm deklarativisht mbështesin model të ri zgjedhor
37 deputetë nga gjithsej 120 në përbërjen aktuale të Kuvendit vijnë nga partitë e vogla, ndërkaq pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e koalicioneve me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. A mund të ndryshohet përbërja kuvendore për llogari të partive më të vogla dhe të prishet bota politike bardh e zi, sipas ekspertëve varet prej ndryshimit të modelit zgjedhor dhe vendosjes së sistemit që do t’u mundësojë qytetarëve se vota e tyre vlen, por edhe nga ajo që e ofrojnë partitë, por edhe prej asaj që do ta ofrojnë partitë, shkruan MIA, transmeton Portalb.mk.
Për ndryshimin e modelit zgjedhor gjatë kohë flasin partitë e vogla të cilat janë pjesë të koalicionit qeveritar, derisa partitë e mëdha, sipas veprimeve të deritanishme vetëm deklarativisht janë për këtë kërkesë. Grupi punues për Kod të ri Zgjedhor në Ministrinë e Drejtësisë ende nuk mund të mblidhet pasi që nuk ka deleguar përfaqësues VMRO-DPMNE-ja opozitare. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se disa herë kanë kërkuar nga VMRO-DPMNE të delegojnë njerëz që të jenë pjesë e grupit punues që të mund të fillojë me punë, por prej atje nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje.
Përpara festave të fundvitit kishte ndryshime partiake në partitë e vogla, të cilat shpresojnë që zgjedhjet e ardhshme të marrin më shumë vota.
Aleanca për Shqiptarët e cila ka 8 deputetë e zgjodhi për kryetar Arben Taravarin, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Komunës së Gostivarit, ndërkaq partia i ka filluar bisedimet për hyrje në qeveri, por tani për tani nuk ka ndonjë rezultat.
Alternativa në krye me Afrim Gashin ka katër deputetë dhe është pjesë e Qeverisë, ndërkaq në prag të ndryshimeve kushtetuese e ka përforcuar retorikën dhe kërkon ndryshim të formulimit për përdorimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë.
Gjithashtu edhe Lëvizja BESA e ka përforcuar retorikën për formulimin e gjuhës shqipe, por dhe ka kushtëzuar përkrahjen e ndryshimeve kushtetuese me zgjedhje të parakohshme.
PDSH ka një deputet dhe është pjesë e koalicionit qeveritar.
VMRO-Popullore është me një deputet dhe është pjesë e LSDM-së.
GROM është me një deputet, i cili në Kuvend vepron me VMRO-DPMNE-në.
RDM është me një deputet dhe e përfaqëson agjendën e gjelbër, ndërkaq një pjesë të kësaj partie janë pranuar disa propozime në kuadër të menaxhimit me krizën energjetike. Maja Moraçanin u rizgjodh për kryetare të partisë.
Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit është pjesë e shumicës, por vlerëson se janë të nevojshme zgjedhjet dhe duhet të ketë koalicion të gjerë për dalje nga kriza.
Levica ka tre deputetë të cilët veprojnë të pavarur.
DPS është në koalicion me VMRO-DPMNE-në, por edhe Partia Demokratike e Turqve.
PLD me dy deputetë është pjesë e koalicionit qeveritar, por edhe tek ata ka ndryshime. Për kryetare është zgjedhur deputetja Monika Zajkova, ndërkaq në skenën politike u rikthye ish lideri dhe ish kryetari i Shkupit Risto Penov, në pozitën e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Zajkova filloi të bëjë ndryshime në parti.
PRSD është me dy deputetë, në mesin e tyre është Goran Misovskin, nënkryetar i Kuvendit dhe kryetar i partisë, një prej deputetëve më aktiv dhe më stazh më të gjatë.
SPM ka dy deputetë dhe tradicionalisht është pjesë e VMRO-DPMNE-së. Nga partitë më të vogla me një deputet është edhe partia Partia Serbe.
Si deputetë të pavarur që veprojnë si pjesë të koalicionit me LSDM-në janë Zeqir Ramçilloviq dhe Sanella Shkriel.
Pjesë më të madhe të deputetëve në Kuvend ka VMRO-DPMNE 38, LSDM 30, BDI 15. Sipas modelit aktual zgjedhor, partitë më të vogla koalicionojnë me partitë më të mëdha përpara zgjedhjeve dhe marrin vende të rezervuara në listat e përbashkëta.
Reformat e sistemit zgjedhor janë të domosdoshme
Profesoresha Bojana Naumovska, drejtoreshë e Institutit për Hulumtime Sociologjike dhe Politiko – Juridike, vlerëson se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të kenë më shumë sukses partitë e vogla. Sipas saj, për ne më së miri është që të zbatohet modeli zgjedhor gjerman, por të rregullohet për kushtet tona.
“Gjithmonë është mirë që të ndahen qëndrime, ide dhe programe, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjendje krize, megjithatë nëse nuk ka ndryshime drastike në sektorët dhe resorët që i udhëheqin partitë më të vogla, çka do që të bëjnë do të mbetet e padukshme nga ana e qytetarëve, veçanërisht kur jemi në një krizë të këtillë energjetike, e cila bëhet edhe krizë financiare”, vlerëson Naumovska.
Modeli, thotë ajo, është proporcional me 6 njësi zgjedhore edhe pse sipas teorisë, koalicionimi parazgjedhor është fitues edhe për partitë më të vogla, por edhe për ata më të mëdha, megjithatë kjo është afatshkurtër.
“Në periudhë më të gjatë kohore, nga cikli në cikël, partitë më të vogla humbin. Ata e humbasin identitetin e tyre dhe në fakt bëhen të panjohura për qytetarët”, shton Naumovska.
Që të kemi ndryshim të plotë në këtë pjesë, siç thekson profesoresha, reformat janë të domosdoshme në lidhje me rregullativën zgjedhore dhe vendosjen e sistemit i cili do të mundësojë që qytetarët vullnetin e tyre ta shprehin më lirshëm, gjegjësisht për çka do të dinë se vota e tyre vlen.
“Në këtë moment siç është i vendosur modeli, jo gjithmonë vota e qytetarëve vlen, dhe ata e dinë këtë”, thotë profesoresha.
Ajo sqaron se modeli i ri duhet t’i zgjidh tre probleme.
“I pari është vlerësimi i njëjtë i çdo vote, pasi që për momentin nuk kemi vlerësim të njëjtë, pasi që në disa njësi zgjedhore bëhesh deputet me 6.000 vota e diku me 8.5000. Problemi i dytë është lidhja e deputetëve me qytetarët. Ajo që kemi 20 vjet model proporcional i ka ndarë deputetët nga qytetarët dhe anasjelltas, ndërkaq kjo lidhje patjetër duhet që të vendoset dhe problemi i tretë i cili do të duhej të zgjidhet është përfaqësim më përkatës rajonal të qytetarëve”, shtoi Naumovska.
Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me këto. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.