Maqedoni

Drejtori Bexheti nga AlternAtivA: Rrisim pensionet për 335,000 pensionistë gjatë vitit

Drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor nga AlternAtivA, Dritan Bexheti, njoftoi se gjatë vitit 2023 pritet rritje e pensioneve për qindra mijëra pensionistët e vendit.

Në vazhdim njoftimi i plotë i drejtorit Dritan Bexheti:

“Si drejtor i Fondit Pensional, kam kënaqësinë të informoj se nga 1 marsi do të ketë sërish rritje të pensioneve për mbi 335 mijë pensionistë.

Në bazë të metodologjisë së re të miratuar vitin e kaluar, çdo 1 mars dhe 1 shtator të vitit, pensionet harmonizohen me indeksin e shpenzimeve të jetesës (që ndikon me 50% në përcaktimin e shumës së pensioneve) dhe rritjen e pagës mesatare të të gjithë të punësuarve (që ndikon gjithashtu me 50% në përcaktimin e shumës së pensioneve).

Me buxhetin e vitit 2023 janë ndarë mjete për rritjen e pensioneve, të cilat – sipas vlerësimeve tona – do të rriten mesatarisht 6-7%.

Kjo do të jetë një tjetër rritje për pensionistët, pasi gjatë vitit 2022, pensionet u rritën për 9.8% krahasuar me vitin paraprak”.