Shqipëri

Aksidenti tragjik në rrugën e Arbrit, humbin jetën dy vëllezër dhe një grua

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Rrugën e Arbrit në Shqipëri, ku raportimet paraprake flasin për 3 viktima dhe 4 të tjerë të plagosur.

Aksident i katërfishtë ndodhi në segmentin Ura e Çereneçit-Maqellarë.

Në vendin e ngjarjes ndodhet ambulanca dhe një zjarrfikëse si dhe forca të shtuara të policisë rrugore.

Detaje të reja janë mësuar lidhur me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e sotme në Rrugën e Arbërit.

Policia në një njoftim për mediat sqaron se në aksident janë përfshirë dy mjete, të cilat janë përplasur kokë më kokë.

Sipas korrespondentit të Klan News në Burrel, Nefik Feta, dyshohet se mjeti tip Mercedes Benz 240 ku udhëtonin Kujtim dhe Murat Istrefi me dy bashkëshortet Lulzime dhe Firuze Istrefi, ka dalë nga një rrugë dytësore duke dalë nga fshati Gjoricë ku kishin qenë për vizitë dhe në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale i kanë prerë rrugën mjetit tip Mercedez me targa angleze. Si pasojë e shpejtësisë, përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë.

Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, kanë humbur jetën 3 persona dhe kanë mbetur të plagosur 4 të tjerë. Mësohet se 2 prej viktimave janë identifikuar si Kujtim dhe Murat Istrefi vëllezër, nga Maqellara ndërsa e shoqja e njërit prej viktimave Lulzime Istrefi ka humbur jetën rrugës për në spital.