Shqipëri

Hapet spitali i Fierit, Rama: Me fat të kesh mike Turqinë

Në ceremoninë e hapjes së spitalit turk “Memorial” në Fier, realizuar për tre muaj, kryeministri Rama falenderoi presidentin Erdogan për këtë dhuratë për Shqipërinë.

Sipas tij, ky spital është vetë rilindja në kohë pandemie.

“Është një moment frymëzues, një moment që simbolizon diellin që po lind sërish në Shqipëri pas një periudhe kaq të gjatë zymtie dhe ankthi përmes një tuneli sfilitës ku hyri e gjithë bota ku ne sot po shohim dritën që po zmadhohet në fund të tij.

Për spitalin që është pas krahëve të mi folën më së miri të dy ministrat unë dua të flas disa fjalë për vlerën e jashtëzakonshme që ky ka përtej shërbimeve që do të ofrojnë, si një qendër e transferimit të asaj dije të madhe që Turqia mike ka.

Modeli aq i suksesshëm i shëndetësisë publike në Turqi është një sukses. Zhvillimi më i madh më domethënës dhe më strategjik i Turqisë në vitet e udhëheqjes së kryeministrit dhe më pas presidentit është bagazhi i shumëfishuar i dijes”, tha Rama.

Sipas tij, është me fat të kesh mike Turqinë.

Vendet dallohen nga ajo që dinë dhe unë besoj se jemi me fat që kemi një vend kaq mik dhe njëkohësisht kaq të gatshëm për të ndarë me ne dijen e vet çka më bën të them me plot gojën që ky spital nuk është fundi po fillimi i një pune të përbashkët.

Në këtë spital do të punohet 24 orë për t’i shërbyer njerëzve, jo vetëm jugu as thjesht Shqipëria por edhe vendet fqinje do të kenë një pikë”, tha Rama.