A po punon Zaev për rrëzimin e Kovaçevskit? Ja çka thonë në LSDM!
Shkrimet e portalit “Plusinfo” për përçarje të mundshme në LSDM, partia i ka vlerësuar si “dëshirë e kotë” e opozitës. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, duke komentuar shkrimet për tensione mes Kovaçevskit dhe Zaevit, të cilat mund të sjellin ndryshimin e kryetarit aktual të partisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverë, theksoi se kjo është dëshira e forcave që janë kundër rrugës evropiane.
“Sa i përket shkrimeve, siç thatë ju, por edhe spekulimeve që tashmë po bëhen publike… në LSDM nuk ka përçarje. Është vetëm dëshirë e shkretë, mund të them lirisht, dëshirë e dëshpëruar e VMRO-DPMNE-së të jetë kështu. Mund të them gjithashtu se është dëshirë e shkretë dhe e dëshpëruar e piromanëve që nuk duan që Maqedonia të ecë në rrugën evropiane”, tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Plusinfo më herët kishte shkruar se ish-kryeministri Zoran Zaev ka përgatitur planin për shkarkimin e Kovaçevskit dhe zgjedhje të parakohshme këtë vit, pasi qëllimi i tij ishte mbështetur edhe nga deputetë të LSDM-së, të cilët do të tregonin padëgjueshmëri ndaj udhëheqësisë së partisë. Ndërkaq, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se ka “deputetë të inkurajuar” nga shumica qeveritare që do t’i votonin mosbesim Qeverisë. Sipas Mickoskit, votimi i tillë i mosbesimit në Kuvend do të bëhet në fund të këtij muaji, ndërsa zgjedhjet për përbërjen e re parlamentare mund të mbahen më 14 ose 21 maj.
“Pyetja për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është pyetje absolute, sepse qëndrimi i LSDM-së tashmë është shprehur disa herë. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2024 dhe LSDM do të jetë fituese e atyre zgjedhjeve, ndaj pengjeve të Dimitar Apasievit dhe Të Majtës”, shtoi ajo.
Në tekstin e Plusinfo-s, po ashtu shkruhej se edhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Qendror të LSDM-së pritet përshkallëzim i konfliktit brendapartiak. Nga partia thonë se për momentin nuk është caktuar mbledhje e këtij organi./Alsat.mk