Mërgimtarët “gjallërojnë” Tetovën, dominojnë nga Zvicra, Gjermania dhe Austria
Nga pritjet e gjata nëpër kufij, janë transferuar nëpër qytetet e vendit.
Kudo ndihet ardhja e mërgimtarëve. Në rrugë, nëpër dyqane, nëpër tregje, sallone të dasmave…Tetova po frymon ndryshe këtë fundvit.
Qytetarët mirëpresin ardhjen e mërgimtarëve. Thonë se në kushte të krizës ekonomike, ardhja e tyre në vendlindje ndikon edhe në impaktin ekonomik, mirëqenien dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Kjo është periudha që vijnë mërgimtarët dhe duhet të jemi falënderues sidomos në këtë periudhë në aspektin ekonomik pasi ato participojnë shumë në aspektin ekonomik por ka lëvizje të madhe nga të gjitha anët nga mërgimtarët. Ekonomikisht janë më stabil se sa shtetet Ballkanike dhe duhet ti çmojmë dhe të jemi falënderues që i kemi” – tha Isa Ceka, qytetar i Tetovës,
“Për ekonominë e vendit është e mire por këto të vendit nuk e vlerësojnë atë që sjellin mërgimtarët, mendojnë se kanë ardhur në vend të huaj por ato kanë ardhur në shtëpitë e tyre, e mendojnë se ato na pengojnë neve por ato na mbajnë neve” – tha Abdullah Shabani, qytetar i Tetovës.
Nëpër rrugët e Tetovës, vërrehen automjete me targa të huaja. Dominon Zvicra, Gjermania e Italia, por nuk përjashtohen edhe vende tjera evropiane por edhe tejoqeanike.
“Vet jam prej kurbeti, jam nga Gjermania” – tha një mërgimtar nga Gjermania.
“Ka më shumë që kanë ardhur për festat e vitit të ri, më shumë janë nga Gjermania dhe Zvicra” – tha një qytetar i Tetovës.
Si zakonisht ardhja e mërgimtarëve dhe sezoni I festave të fundvitit po ndikon edhe në tollovi në trafik. Rrugët e Tetovës janë të stërmbushur me automjete, kurse duket se gjetja e një vendparkimi është shndërruar në sihariq dhe “bingo” për shumë qytetarë. /KlanMacedonia/