Maqedoni

Artan Grubi dëmshpërblen “branitellat”

Gazetar: Adrian Kerimi

Firma e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi qëndron në vendimin e Qeverisë për dëmshpërblimin e katër ish pjesëtarëve të forcave të sigurisë në vitin 2001 ose ndryshe të njohur si “branitallat”. Dokumenti i siguruar nga Alsat, është i seancës së Qeverisë më 25 maj 2022 dhe përveç se obligon Ministrinë e Financave të kryen pagesat për katër persona, gjithashtu obligon Avokatin e Shtetit të heq dorë nga procedurat e përmbarimit kundër të dëmshpërblyerve. Alsat ka siguruar shumën me të cilën është dëmshpërblyer çdo ish “branitel”. Në çdo vendim për dëmshpërblim qëndron firma e zëvendëskryeministri të parë, Grubi.

Vlera e dëmshpërblimit

Sasho Veliçkovski 541.194 denarë 8.800 euro
Dimçe Mançov 416.588 denarë 6.770 euro
Marjan Veliçkoviq 496.743 denarë 8.000 euro
Zoran Angellovski 362.894 denarë 5.900 euro

Vendimet për kryerjen e pagesave bashkë me të dhënat e personave të dëmshpërblyer kanë kaluar si vendime të Qeverisë në seancën e 20 shtatorit të këtij viti.

Televizionit Alsat ka verifikuar nëse të dëmshpërblyerit janë invalid lufte dhe janë në listën e personave të cilët paguhen nga Drejtoria për çështjen e luftëtarëve dhe invalidëve të luftës, varësisht shkallës së invaliditeti. Arritëm të konfirmojmë se Sasho Veliçkovski dhe Marjan Veliçkoviq janë në listën e invalidëve të luftës, të cilët pavarësisht pensionit invalidor, kanë paditur shtetin për dëm jo materiale. Për dy të tjerët, Dimçe Mançov dhe Zoran Angellovski nuk arritëm të sigurojmë dëshmi se të njëjtit ndodhen në listën e invalidëve, por jo zyrtarisht mësohet se edhe dy të fundit marrin pension invalidor nga Drejtoria për çështjen e luftëtarëve dhe invalidëve të luftës, respektivisht nga Ministria e Punës dhe Politikës sociale.

Çështja e dëmshpërblimit ka nisur përmes padive që ish ushtarët dhe pjesëtarët e forcave të sigurisë kanë bërë ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Në gjykatën e shkallës së parë, vendimi ka qenë në favorin e tyre. Avokati i shteti është ankuar, por Gjykata Apelit ka konfirmuar dëmshpërblimin. Me ankesë të Avokatit të Shtetit, Gjykata Supreme ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së dytë duke e cilësuar si të pabazë. Qeveria me vendimin e saj përveç që nuk ka njohur vendimin e Supremes si gjykata e shkallës së fundit për çështje penale dhe civile, ajo ka obliguar edhe Avokatin e Shtetit që t’i ngrij të gjitha procedurat e përmbarimit dhe të tërhiqet nga procesi. Në aspektin ligjor, Qeveria nuk ka ndërhyrë në punën e gjykatës, ndërsa në aspektin procedural ka tërhequr nga kontesti përfaqësuesin ligjorë të dy dikastereve, të Mbrojtjes dhe të MPB-së. Dy dikasteret e fundit, mbi bazën e vendimit gjyqësor në Supreme përmes Avokatit të Shtetit kishin nisur kërkesë për kundër përmbarim, përkatësisht kthimin e parave nga ana e “branitellave” në buxhet të shtetit.

Qeveria nuk kishte një përgjigje, mbi çfarë baze është marrë ky vendim i cili parimisht është në kundërshtim me vendimin gjyqësor dhe cila është shuma e dëmshpërblimit. Përveç firmës së Grubit, në fund të dokumentit, qëndron edhe firma e Tahir Hanit në cilësinë e personit i cili ka miratuar dokumentin në aspektin juridik-formal. /alsat.mk