Vazhdojnë skandalet me tekstet shkollore, nxënësve u imponohet të mësojnë për BDI-në
Nxënësit e klasës së pestë nuk do të mund të kalojnë vitin pa e mësuar shkurtesën e togfjalëshit Bashkimi Demokratik për Integrim. Përpos institucioneve ndërkombëtare, një ndër shembujt e dhënë për mësimin e shkurtesave është edhe kjo parti politike, kështu, duke ju imponuar nxënësve që ende pa e ditur çka është politika, të mësojnë për ekzistimin e një partie politike.
Konkretisht, në faqen 64 të Gjuhës Shqipe për klasën e pestë, mësohet për shkurtesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në fund, edhe për shkurtesën e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Shembujt e dhëna në këtë libër nuk janë të rastësishëm. Autori i librit është Vehbi Kadriu, i cili siç mëson Alsat ka lidhje të ngushta me BDI-në. Përkatësisht, djali i tij, Endrin Kadriu, është drejtor në Ndërmarrjen Publike të Radiodifuzionit si dhe ish kandidat i BDI-së për zgjedhjet e fundit për Këshillin Komunal në Tetovë.
Autori Vehbi Kadriu ishte angazhuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të shkruar këtë libër gjatë mandatit të Jeton Shaqirit, drita e gjelbër për publikim nga ana e Komisionit për Tekste Mësimore që udhëhiqet nga Jovanka Lazareska Stançeska ishte dhënë më datë 18 tetor të vitit 2022.
Nga ana tjetër, në tentativë për t’i dalë në mbrojtje autorit të këtij libri, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në një fjali të vetme bën dhjetëra gabime gjuhësore.
“Nuk është e arsyeshme të bisedohet në emër të autorit i cili ka kontribu(u)ar (për) vite me radh(ë) në mënyrë profesionale. Procesi i pë(r)zgjedhjes është anonim dhe aspak nuk ka të be(ë)j(ë) me këto gje(ë)ra të cilat po (i) pyesni.Edhe njëher(ë) ju potencojm(ë) se procesi i përzgjedhjes dhe aprovimit janë procese që aprovohen nga ke(ë)shilli nacional dhe kalojn(ë) të gjith(a) procedurat (e) tjera të parapara me ligj”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ministria e Arsimit në këtë rast vendosi të mbrojë autorin Vehbi Kadriu, ndërsa për gabimet e fundit në librin e Historisë dhe Shoqërisë për klasën e pestë dhe Gjeografisë për klasën e tetë, ku shumë fakte ishte të shtrembëruara, dikasteri i Jeton Shaqirit përgjegjës bënte pikërisht autorët dhe recensentët e teksteve, madje duke kërkuar përgjegjësi nga ata. /Alsat.mk