Kosovë

Grenell: Nëse Kurti s’e liron serbin e arrestuar, SHBA-ja duhet të ndalë ndihmën

Ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti, ta lirojë ish-policin serb, Dejan Pantiq, që u arrestua në veri.

Grenell shkroi në Twitter të dielën se nëse Kurti nuk e lejon Pantiqin, SHBA-ja duhet t’i ndalojë të gjitha ndihmat. Ai edhe bëri thirrje që të lirohet nga Haga ish-presidenti Hashim Thaçi.

“Nëse Kurti nuk e bën (lirimin e serbit v.j.) menjëherë, atëherë SHBA-ja duhet t’i ndalojë të gjitha ndihmat. Ne nuk duhet të mbështesim dikë që krijon terror. Unë u bëj thirrje evropianëve të ndryshojnë drejtimin e strategjisë së tyre Kosovë-Serbi. Ata nuk po e ndihmojnë Ballkanin. Po e përkeqësojnë atë me ndërhyrjet e tyre të njëanshme dhe të parregullta. Dhe lirojeni Hashim Thaçin menjëherë nga Haga”, tha Grenell.

Dejan Pantiq, ish-polic i Kosovës, është arrestuar të shtunën, nën dyshimin se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe iu kanë bërë thirrje serbëve që t’i heqin barrikadat nga veriu.

“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, u tha nga SHBA-ja të dielën.