Incidenti në Haraçinë, VMRO-ja kërkon dorëheqjen e Spasovskit
VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pas informacioneve se një grup i armatosur i afërt me pushtetin, kanë përzënë policët nga Haraçina. Zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoillkovski e cilësoi Spasovskin si kërcënimin më të madh për funksionimin e MPB-së dhe ballafaqimin me krimin, dhunën dhe korrupsionin.
“MPB akoma hesht, do të përsëris, vetëm sepse është ndaluar një person pa dokumente valide, një grup i armatosur i afërt me qeverinë, një polic dhe një person i njohur i policisë, futen në repartin e policisë në Haraçinë dhe policët duhej, pasi kishin marr urdhër nga një i supozuar që të tërhiqen nga Haraçina në Gazibabë”, deklaroi Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski theksoi se ky rast po ekzagjerohet, pasi aktualisht nuk ka material zyrtar që konfirmon se ka pasur sulm të tillë ndaj policëve qoftë edhe verbal. Megjithatë sipas tij punohet në drejtim të grumbullimit të detajeve me qëllim që të shihet nëse ky informacion konfirmohet ose jo.
“12 Kolegët e repartit për krim polici dhe kontroll të brendshëm punojnë, pra deri më tani nuk ka denoncim as nga ana e policëve se dikush i ka kërcënuar dhe përzënë dhe nuk ka as denoncim nga ana e qytetarëve, edhe pse janë lajmëruar në stacion policor për sjellje të pahijshme të policëve që kanë qenë në atë pikë. Kështu që sot me material zyrtar do të duhet të zbardhen të gjitha këto çështje që të mund të informojmë. Është ekzagjeruar se kjo ka ndodhur me armë dhe kështu me radhë, të shohim se çfarë do të del më tej”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Një pjesë e mediave sipas informacioneve jozyrtare kanë publikuar informata se mbrëmë vonë, një patrullë policore është përzënë nga Haraçina nga një grup i armatosur, pasi paraprakisht ka tentuar të ndaloj një automjet që supozohet se e drejtonte një person që nuk ka pasur dokumente. Personi sipas mediave ka ikur, ndërsa gjatë ndjekjes së tij, është takuar me një grup të armatosur dhe është dashur të lëshojë vendin. /Alsat.m