Filloi rikonstruksioni i objekteve të Universitetit “Nëna Terezë” në kazermën “Ilinden”
Në kazermën “Ilinden” në Shkup sot filloi rikonstruksioni i objekteve në të cilët do të vendoset Universiteti “Nëna Terezë” .
Rektori i Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, Izet Zeqiri informoi se Universiteti lejen për rikonstruksionin e ka marrë në maj, përderisa në nëntor kanë filluar të punojnë në eliminimin e objekteve të cilët konsideroheshin si të rrënuara. Ai potencoi se UNT do të jetë i gatshëm madje kur do të ndërtohet kampusi i ri, për çka, siç paralajmëroi, deri më 5 janar të vitit 2023 pritet të përfundojë projekti i përgjithshëm.
“Ne e krijuam UNT-në me tetë fakultete, me mbi 40 programe studimore, me 3.700 studentë, me 760 studentë të regjistruar në vitin e parë për këtë vit akademik, me 66 profesorë, 32 asistentë, bashkëpunëtorë, doktorantë dhe 67 të punësuar në administratë. Kemi nevojë për punësime të reja. Kemi nevojë për kuadër akademik që të përmbushen kushtet ligjore dhe të zhvillohet procesi mësimor në Universitet”, tha Zeqiri.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri i cili theksoi se edhe pse krijohen institucione arsimore, jetën e tyre e mbajnë studentët dhe kuadri arsimor i Universitetit.
“UNT është formuar si Universitet i rëndësishëm, sepse studentët e Universitetit sot janë pjesë e programeve të universiteteve të ndryshëm evropianë dhe më gjerë në përputhje me bashkëpunimet të cilat i ka Universiteti”, tha Shaqiri.