Kusari-Lila: Borrelli është mësuar që Kosova të lëshojë pe, ai mori anë pro Serbisë
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka marrë anë pro Serbisë gjatë ndërmjetësimit të hënën në Bruksel.
Kusari-Lila ka thënë se Borrell ka shfaqur gjuhë raciste ndaj Kosovës.
“Ajo e ka treguar Borrellin e anshëm tërësisht. E ka treguar një gjuhë raciste dhe diskriminuese ndaj Kosovës me tendencën e kërcënimeve që u reflektuan në vendimin e ambasadorëve të BE-së për votimin formal për liberalizimin e vizave, që tashmë ka kaluar në nivel të trajtimit tërësisht të ndërlidhur politik, apo është diskutuar në nivel të ndërlidhjes politike”, ka thënë Kusari-Lila në KTV.
Ajo ka thënë se si duket, Borrelli ishte mësuar që Kosova të lëshojë pe.
“Gjuha e komunikuar e Borrellit tregoi se ai do të mbajë qëndrim të tillë. Kjo po që se nuk është e lehtë. Arsyeja që ai sillet kështu dhe që ka pasur këtë qasje, duke pritur që Kosova do të lëshojë pe e se Kurti do të ketë qasje më të lehtë ndaj Serbisë, është se duket se ashtu është mësuar. Në këtë situatë, ajo që mund të them është se në një çështje besimi 100 për qind në një proces të rëndësisë kaq të lartë, ia besoj kryeministrit Kurti”.
Sipas Kusari-Lilës, moscaktimi i afateve në këtë pajtim nuk nënkupton se dialogu mund të zgjatet në pafundësi. Ajo ka thënë se edhe “mosmarrja vesh është bllokim i procesit”. Palët janë pajtuar që nëse në dialog shfaqen bllokime, ndërmjetësuesi mund ta përfundojë procesin.