Nënshtetësia e Onishchenkos / Drejtori i ASK-së, Dimovski: E kemi gjetur fajtorin
Në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare është lokalizuar një person, i cili pa u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë në NATO ka dhënë pëlqimin që në rastin e shtetasit ukrainas, Oleksandr Onishchenko, nuk ka rrezik sigurie. Kështu ka deklaruar sot drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, pas dëgjimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Punës së ASK-së në Kuvend.
“Mbetet të përcaktohet nëse ka qenë lëshim, qëllim apo interes fitimprurës. Asnjë nga këto nuk është përjashtuar. Ne duam, dhe interesi im i parë dhe kryesor është ta zbuloj këtë. Do ta zbulojmë, nuk do të ndalemi”, deklaroi Dimovski.
Dimovski sqaroi se do të hetohet vepra e personit brenda agjencisë dhe më pas do të vendoset se çfarë përgjegjësie do të marrë, disiplinore, penale apo lloj tjetër. Dimovski nuk ka treguar se për cilin person bëhet fjalë, por ka theksuar se bëhet fjalë për operativ me përvojë në Agjenci./KlanMacedonia