Kryeministri Kurti i vendosur: As nuk e kam nënshkruar “Zajednicën” as nuk e zbatoj
Gjatë qëndrimit në Austri, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur në një intervistë për mediumin austriak APA për çështje të ndryshme, mes tyre edhe dialogun me Serbinë e temën e Asociacionit. Ai ka deklaruar se refuzoon zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe me arsyetimin se kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga ai, prandaj edhe nuk ka pse të zbatohet nga ai.
“Unë kam ardhur në pushtet vitin e kaluar, kanë qenë paraardhësit e mi që kanë nënshkruar këtë marrëveshje me të njëjtët njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi, pse nuk e zbatuan atëherë, në vitin 2013?”, tha Kurti, përcjell albinfo.ch.
Në këtë pikë, Kurti ka përmendur edhe faktin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka cilësuar si jokushtetuese dispozitat e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Kushtetuta jonë nuk është në përputhje me një bashkim etnik, sepse thelbi i kushtetutës së Kosovës është natyra multietnike e shtetit. Kërkesat për një autonomi të tillë për zonat me shumicë serbe në Veri të Kosovës nuk erdhën as nga popullata vendase. Vetëm Beogradi e dëshiron këtë në mënyrë që të kompensohet për humbjet që pësoi në luftën në kohën e Millosheviq-it , por kjo nuk është “e realizueshme”, sqaroi Kurti.
Lidhur me arritjen e një marrëveshje me Serbinë, Kurti tha se ajo do të arrihet në dy vitet e ardhshme.
“Njohja reciproke nuk do të jetë e vetmja çështje, por ajo duhet të jetë pjesa qendrore. Unë jam gjithashtu shumë optimist sepse kemi një mundësi të mirë për të arritur një marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe kancelarin Olaf Scholz në Berlin”, tha ai.