Kosovë

Kurti i prerë: S‘ka Asociacion mbi BAZA ETNIKE!

Kurti i prerë: S‘ka Asociacion mbi BAZA ETNIKE!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Paqes në Paris, ka rikonfirmuar qëndrimin e tij se nuk pranon Asociacion mbi baza etnike, raporton Gazeta10.

Kurti ka thënë se ka mundësi për bashkëpunim ndërkomunal por jo për Asociacionin duke thënë se një i tillë ekziston në Kosovë, por jo në baza etnike.Tutje, ai ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë duke thënë se Asociacioni bie ndesh me të.

“Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016″, ka thënë ai ndër të tjera.

Duke folur për situatën e krijuar së fundmi në veriun e Kosovës, ai ka thënë se kjo është produkt i refuzimit të Serbisë karshi planit franko-gjerman.

Kurti i ka quajtur të sajuara dorëheqjet që pasuan nga e shtuna që shkoi në Kosovë nga Lista Serbe dhe serbët e veriut.

“Kjo situatë është krijuar sepse Beogradi e refuzon propozimin Franko-Gjerman dhe kjo dramë është krijuar për të mbuluar refuzimin. Ata e kanë diskutuar këtë propozim në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd dhe ai është refuzuar në mënyrë unanime. Pra, të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë në Serbi votuan kundër propozimit. Dhe njoftimi u dha nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në të shkuarën ka qenë zëdhënës i Millosheviçit. Ai tha se e kishin refuzuar propozimin franko-gjerman dhe më pas sajuan këtë dorëheqje kolektive nga institucionet tona, të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë”, deklaroi ndër të tjera Kurti.

Kujtojmë se serbët janë tërhequr nga institucionet e Kosovës pasi Qeveria e Kosovës ka suspenduar komandantin e policisë rajonale të veriut Nenad Gjuriq. / Gazeta10.