Maqedoni

Institucionet në Maqedoni kanë dhënë mendim pozitv për shtetësinë e oligarkut prorus

Institucionet, mendim pozitv për Onishçenkon

Qeveria nuk kanë arritur të gjejnë asgjë kontestuese në miratimin e vendimit për dhënien e shtetësisë për oligarkun dhe ish deputetin ukrainas Oleksandar Onishçenko. Ai është në listën e zezë të SHBA-së për ndikim rus në zgjedhjet presidenciale si dhe kërkohet nga autoritetet ukrainase për shpëlarje parash me shumë qindra milionëshe, por ka marrë vlerësim pozitiv sikur të kishte dosje të pastër, nga të gjitha institucionet e vendit që kanë kontrolluar aplikimin e tij për shtetësi. Onishçenko, duke qenë sportist, ka marrë shtetësinë mbi bazën e përfaqësimit të vendit në gara ndërkombëtare me kuaj.

“Bëhet fjalë për një rast i cili ka marrë vlerësime pozitive nga katër institucione relevante, në fund sillet në Qeveri dhe Qeveria ka të drejtë diskrecioni të japë ose të refuzojë shtetësinë e secilit që aplikon. Të gjitha vlerësimet nga të katër institucionet janë pozitive. Duhet t’i pyetni organet që i bëjnë këto kontrolle; Agjencia për Siguri Kombëtare, Komiteti Olimpik Maqedonas, Agjencia për Rini dhe Sport… Nuk ka fletarrest ndërkombëtar. Kur shkruhet fletarrest ndërkombëtar ai shkruhet nga Interpol vlen për gjithë botën”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Pas reagimeve në opinion, kryeministri Kovaçevski thotë se si Qeveri do të kërkojmë edhe inspektime të tjera për të parë nëse ekzistojnë të dhëna të cilat duhet të merren parasysh.
Kontrollimi i aplikimeve për shtetësi kalon nga Agjencia për Siguri Kombëtare e cila drejtohet nga Viktor Dimovski. Ai prej kohësh ka kaluar disa filtra dhe pritet të marrë miratimin e Kuvendit për të shkuar ambasador në Paris.

“Është e qartë se kur janë në pyetje paratë, për udhëheqësinë e ASK-së nuk ekziston ligj dhe procedurë e cila nuk mund të anashkalohet, duke mos u mbajtur llogari për dëmin e imazhit ndërkombëtar të cilës ja bëjnë anëtares më të re të NATO-s… Pas skandaleve që kanë ndodhur në Agjencinë për Siguri Kombëtare të cilën e drejton kuadër partiak, Viktor Dimovski, dhe të cilin MPJ-ja e ka propozuar për ambasador në Francë, duhet të ketë rishqyrtim të këtij vendimi dhe ai të tërhiqet”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Ministri i Jashtëm nuk komenton kërkesën e opozitës që Dimovski të mos shkojë ambasador. Ai thotë se nevojiten hulumtime shtesë.

“Nuk mund ta komentoj këtë çështje deri sa nuk zbardhet rasti sepse ne kemi disa informacione të para megjithatë pres që institucionet fillimisht të shohin nëse ka diçka kontestuese në atë rast dhe pastaj të shohim nëse ne duhet të ndërmarrim diçka”, u shpreh Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

E deri sa për institucionet duket e pamundur të konfirmojnë kush meriton të marrë shtetësi, me vetëm disa klikime në internet, gjenden dhjetëra lajme të mediave ndërkombëtare për afërsinë e Onishçenkos me Kremlinin, ndikimin në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe hetimet për korrupsion në Ukrainë.