Abazi dhe Ahmeti janë bashkëfshatarë, por s’kanë kontakt mes vete
Janë bashkëfshatarë, por shefi i ri i Prokurorisë për krim të Organizuar Islam Abazi mohon që lideri i BDI-së Ali Ahmeti të ketë ndikuar në zgjedhjen e tij si shef i kësaj Prokuroria. Madje thotë se nuk ka as kontakte personale me të. Abazi nuk e mohoi që mund të ishte takuar me eksponentë të partive të ndryshme politike, por kjo sipas tij nuk është e kundërligjshme.
“Nuk kam qenë asnjëherë edhe nuk jam anëtar i ndonjë partie politike, dhe në asnjë moment gjatë punës time të deritanishme nuk kam lënë përshtypjen se kam relacione të posaçme me ndonjë parti politike përkatëse”, u shpreh Islam Abazi, Prokuror.
Ai thotë se mënyra e re e zgjedhjes së shefit të kësaj prokurorie, ku kanë pasur të drejtë të votojnë të gjithë prokurorët, i jep atij legjitimitet të plotë si dhe e zhvesh nga çdo mundësi për ndikim nga ana e politikës apo grupeve të interesit.
“66 votat e fituara përbëjnë përgjegjësi të madhe për mua dhe më motivojnë që sa më mirë që mundem të udhëheq me këtë prokurori, e cila është më e rëndësishmja për shkak se ka kompetencë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Prioritet e kam të përmbush vendet e lira të punës për prokurorë si dhe të qendrës hulumtuese si dhe të vendosim digjitalizim në prokurorinë publike”, u shpreh Islam Abazi, Prokuror.
Mungesën e tij në media për të prezantuar programin e arsyetoi me fushatën që ka realizuar drejtpërdrejtë me prokurorët. Prioritet për Abazin është ekipimi i kësaj prokurorie. Jozyrtarisht mësojmë se Këshilli i Prokurorëve pritet që më 14 nëntor të caktojë seancë për të emëruar zyrtarisht Abazin si shef të kësaj prokurorie, meqë me atë datë edhe përfundon mandati i shefes së deritanishme, Vilma Ruskovska. Ndryshe, Abazin e presin një sërë lëndësh të pazgjidhura në këtë prokurori, mes tjerash edhe rasti me autobusin Besa Trans dhe Policinë Financiare. Ai tha se në këtë periudhë është herët që të flasë për këto lëndë./Alsat.mk