Profesoresha Merita Abazi në mesin e personaliteteve që u dekoruan nga FRI
Ndihem e nderuar nga përzgjedhja dhe kujdesi i treguar nga ish nxënësit e mi, miqtë e veprimtarë, në mbrëmjen e organizuar për nxënësit, studentët mësuesit, ( ndër ato isha unë) më të mirë të të gjitha shkollave të mesme dhe fakulteteve të univesiteteve në Maqedoninë e Veriut, ka shkruar Profesoresha Merita Abazi, e cila ishte në mesin e personaliteteve të dekoruar nga FRI.
“Një falenderim n’emrin tim dhe të gjithë nxënësve e studentëve të dalluar, të gjithë organizatorëve në krye me kryetarin e forumit islam të rinisë shqiptare”, ka shkruar profesoresha Abazi.
Dekorata profesoreshës Abazi i është ndarë në kuadër të manifestimit tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”, që u mbajt dje në Teatrin Kombëtar Maqedonas në Shkup.
ME RASTIN E VITIT TË RI HIXHRI – 1444, FRI REALIZON MANIFESTIMIN TRADICIONAL “NË GJURMËT E MË TË MIRËVE”, PËR HERË TË 22-TË ME RADHË
Forumi Rinor Islam, mbrëmë, në Teatrin Kombëtar Maqedonas, realizoi manifestimin, tashmë tradicional, “Në gjurmët e më të mirëve”, manifestim ky që realizohet me rastin e Vitit të Ri Islam – Hixhri 1444. Vlen të theksohet se FRI e realizon këtë manifestim për herë të 22-të me radhë, duke e parë atë si një mundësi për të përçuar mesazhet fisnike të Kuranit dhe për të stimuluar dijen në vendin tonë.
Programin e filloi Zija Ismaili me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë, për të vijuar më pas fjalimi i kryetarit të FRI-së, Mr. Xhabir Emini.
Pjesën artistike të këtij programi e filloi kënduesi i mirënjohur i ilahive, Nusret Kurtishi, i cili solli në skenë ilahinë e tij të re me titull “Selame nga Shkupi”.
Shpërndarja e dekoratave dhe dhuratave filloi me nxënësit më të dalluar nga të gjitha shkollat e mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Çmimi “Hafizi i ri i vitit”, të cilin FRI e ndan në këtë manifestim, këtë vit i takoi hafizit Sejjid Idrizi, nga Shkupi.
Nuk mungoi as pjesa artisitike e kësaj mbrëmje, para publikut interpretoi Zurijet Sulejmani dhe Bunjamin Selimi me monologun “Shtëpia e ikjes”, monolog ky i shkruar nga autori Arsim Jonuzi.
Çmimi “Shkencëtari i ri i vitit” i takoi Mr. Almir Rushit, i cili u zgjodh nga komisioni pas konkursit të shpallur.
Personalitetet dhe subjeket e dalluara të dekoruara nga FRI në manifestimin e Hixhrit ishin:
Mulla Vesel Guta, Prof. Merita Abazi, hafiz Jashar Ibrahim, Gafur Fejza si dhe grupi rinor i ashtuquajtur “Space Eagles”.
Pas kësaj pjese, ekskluzivisht për manifestimin e Hixhrit ilahisti Musliu Musliu performoi ilahinë e re me titull “Hixhreti”.
Pjesa e fundit e programit iu dedikuar ndarjes së shpërblimeve të studentëve më të mirë nga disa universitete në vend, edhe atë: Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. Në mesin e të gjithë studentëve me sukses të lartë, tre prej tyre ishin me sukses maksimal 10.00.
31 tetor 2022