Maqedoni

ASH: Të ulen çmimet e ilaçeve!

Nga Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar ndaj paralajmërimit të Qeverisë për rritje të çmimit të participimit gjatë kontrolleve në spitale publike. Nga ASH rikujtojnë se qeveria LSDM-BDI premtonte heqjen e plotë të pagesës së participimit.

“Javën e kaluar, në vazhdën e masave anti-krizë të Qeverisë është propozuar edhe rritja e participimit gjatë vizitave dhe ekzaminimeve në spitalet publike. Propozimin skandaloz në fjalë e ka pranuar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila deklaron se “po shqyrtohet mundësia e futjes dhe rritjes së participimit në përdorimin e shërbimeve shëndetësore”. Ndërsa, nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se kjo kërkesë nuk do të merret si akt i kryer dhe se fillimisht do t’i bëjnë analizat se a do të jetë i domosdoshëm ky shtrenjtim i participimit për shërbimet shëndetësore.
Në kampanjën parazgjedhore në vitin 2016, partitë qeveritare LSDM-BDI premtonin shërbime kualitative shëndetësore nëpër spitalet publike si dhe heqjen e pagesës së participimit. Le që nuk i mbajtën premtimet, por në janar të viti 2019 i rritën çmimet e participimit dhe çmimet e barnave”, tha Bekim Tateshi, Departamenti për Shëndetësi-ASH.